Tetë javë, vetëm një humbje në Korçë me Skënderbeun, e më pas të kuqtë e Gegës në 7 javët në vazhdim e kanë shfaqur veten si ekipi për t’u mundur në Superiore. 6 fitore dhe 1 barazim, e mbi të gjitha duke shënuar 9 herë në portat kundërshtare, pa pësuar as dhe njëherë të vetme edhe duke luajtur me ekipe rivale dhe me sulmues mjaft të fortë.
Partizani po konfirmohet nga java në javë si skuadra pretendente kryesore këtë sezon për të fituar titullin kampion. Nga porta, në sulm, apo edhe në stolin e rezervave dhe me një trajner shumë profesionist dhe fjalëpak e punëshumë si Skënder Gega, Partizani në prag të “provimit” të fundit të fazës së parë me Luftëtarin në kryeqytet, ka vetëm një synim, fitoren dhe ruajtien e kreut.
Një skuadër mjaft mirë e harmonizuar, dhe ajo që bie në sy me Gegën e rikthyer te të kuqtë, këtë herë si trajner, por njëkohësisht duke rikthyer traditën e talenteve. Me Esat Malën e Jasir Asanin, por edhe me një Bardhi të rilindur. Pa harruar edhe Koten, që edhe pse përdoret si zëvendësues po rritet, ashtu si Rubin Hebaj e Eraldo Çinari. Pa harruar edhe Hysenajn e Feratin, një traditë e munguar e një klubi që ka hedhur “themele” të shëndosha tashmë për një të ardhme të sigurtë.
Një Partizan që premton shumë, ndërsa “qershia mbi tortë” është rikthimi i tifozëve të kuq, në çdo ndeshje gjithnjë e më shumë, si për të treguar se këtë sezon, të gjithë duan titullin kampion.