Ditën e sotme Basha ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit e qytetit të Durrësit, ku ka inspektuar disa biznese, pas tërmetit të 26 nëntorit. Përmes një postimi në faqen zyrtare në ‘Facebook’, Basha shkruan se “tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, e kësisoj, me qëllim për të shmangur futjen e Durrësit në një “dimër” ekonomik dhe social me pasoja të rënda për të gjithë vendin, në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar propozoj këto masa me efekt të menjëhershëm”, thotë kreu demokrat.
Pesë pikat
1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.