Nga Fernada Cenko
Tërmet Peçi ka arritur të marrë mbështetje e PS-së, për të kandiduar për herë të tretë në Tepelenë.
Gjatë një interviste për “TemA Javore”, kryetari ka zbuluar objektivat dhe projektet që do të ketë si sfidë në katër vitet në vijim, nëse bashkinë do ta fitojë sërish ai.
Me bindje të plotë, Peçi shprehet se ka ende shumë për të dhënë, pasi nga 40 projekte të hartuara, janë realizuar vetëm gjysma e tyre. Ai veçoi edhe tre ambiciet që ka për qytetin e Tepelenës.
Gjithashtu Peçi ka komentuar edhe marrëdhëniet që ka me kryeministrin, ku theksoi se Rama ka qenë mbështetësi më i madh dhe promotori i këtij qyteti, duke u rikthyer shpresën qytetarëve.
Pse mendoni se Tepelena duhet t’ju besojë edhe për katër vite të tjera?
Më lejoni së pari t’ju përshëndes dhe falenderoj për vëmendjen tuaj. Unë tashmë nuk do ta shikoja më si një mandat, por si një obligim ndaj qytetareve që besuan mua dhe forcës politike që përfaqësoj. Dua t’ju them më shumë modesti se kam besim tek energjitë e mia dhe inkurajimi i komunitetit që me ka zgjedhur, e cila më jep forcë për të shtyrë përpara planet dhe strategjitë që Tepelena meriton të ketë. Gjithashtu nisur nga fakti që mbështetja e qeverisë ka qenë maksimale për bashkinë tonë, tashmë e provuar, jam i bindur se çdo banor i Tepelenës është i sigurt, për vazhdimësinë dhe kontributin që do ndikojë të ardhmen e saj.
Çfarë objektivash ka lenë pa përmbushur Tërmet Peçi?
Është një pyetje paksa e vështirë, megjithatë duhet te jem realist dhe të them se ende kemi nevoje për vende pune, kemi nevojë për infrastrukturë më të mirë, për partner strategjik, për krijimin e kushteve të shtresës që janë në vështirësi ekonomike-sociale. Megjithatë nga 40 projekte të hartuara, kemi realizuar gjysmën e tyre, pjesa tjetër prek gjithë hapësirën territoriale të bashkisë dhe është sfida jone me e madhe.
Cilat janë tre ambiciet më të mëdha që keni?
Ambiciet janë të shumta sikurse u shpreha, por meqë ju po kërkoni të më kufizoni, po veçoj 3 nga ambiciet tona: Zhvillimi i turizmit, për ta kthyer gjithë zonën në një destinacion turistik, si një mundësi e re për tu zhvilluar, pasi potencialet nuk na mungojnë dhe falë punës jemi në vëmendjen e vizitorit të huaj tashmë. Krijimin e Infrastrukturës në çdo cep të bashkisë dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për rrugët rurale, ujin e pijshëm, apo rivitalizimin e qendrave ndriçimin e tyre, sinjalistika turistike, si dhe shërbime te tjera sipas nevojës. Rigjallërimi, garantimin e jetës si dhe vazhdimësisë për banorët që jetojnë duke nxitur pse jo kthimin e banorëve të larguar, sepse Tepelena i ka shanset për tu bere një qytet referencial, sa i përket atij diskutimit qe shpesh bëjmë.
Kontaktoni shpesh me kryeministrin Edi Rama? Çfarë marrëdhëniesh keni me të?
Hah (qesh), në fakt rrjetet sociale kanë bërë shumë meme mbi marrëdhënien time me kryeministrin, por do të vlerësoja faktin qe komandanti më dha sërish mundësinë të vazhdoj zhvillimin e mëtejshëm të Tepelenës. Dua të ritheksoj se ai ka qenë mbështetësi më i madh dhe promotori i këtij qyteti, duke u rikthyer shpresën qytetarëve. Fatmirësisht kjo dashamirësi dhe vëmendje kundrejt tepelenasve është përkthyer në ndryshim rrënjësor të imazhit tonë dhe për këtë jemi mirënjohës të gjithë.
Shohim një diferencim fshat-qytet në aspektin e investimeve, kur keni menduar të ndërhyni edhe në fshatra për të rehabilituar infrastrukturën?
Siç u shpreha edhe me sipër vijimi i mandatit do të jetë i përqëndruar kryesisht në infrastrukturën rurale, duke përfshirë çdo cep të territorit të bashkisë… këtë e them me bindje të plotë pasi kemi përfunduar hartimin e çdo projekti dhe madje disa prej tyre tashmë janë aplikuar dhe presin të marrin financimin nga qeveria shqiptare.
Gjithashtu me Planin e Përgjithshëm Kombëtar (i përfunduar) dhe Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tepelenë (aktualisht në proces), si instrumente thelbësore e strategjike, që kane munguar gjithmonë, do të kristalizojnë të gjithë zhvillimin territorial. Rëndësia e këtij zhvillimi konsiston në përcaktimin e radhës së investimeve, me qëllim mos jetë më sikurse ka ndodhur pas ndryshimit të sistemit pra, psh: Të mos bëhet investim në infrastrukturë rrugore para se të bëhet investimi në infrastrukturën nëntokësore inxhinerike sikurse janë rrjetet telefonike, elektrike, ujësjellës kanalizime, etj. (TemA Javore)