Kreu i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi ka komentuar sërish deklaratën e bërë disa ditë më parë nga kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili kërkoi shkarkimin e tij. I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat ndaj tij për fshehje të një dënimi, Peçi thotë se janë një sulm politik ndaj tij.
“Sulm politik ndaj meje. Kundravajtja nuk përbën shkelje ligjore. Jam në detyrë në mandatin tim të dytë pas rivotimit me 70% të votave. Revolucion total në gjithë institucionet vendore dhe investimet e kryera në qytet. Shuma totale e investimeve në bashkitë Tepelena 7 miliardë lekë”, tha Peçi.
Në reagimin e tij të parë fill pas deklaratës së kryeprokurorit Llalla, përmes një postimi në “Facebook”, Peçi u shpreh se “nuk ka deklaruar në KQZ një gjobë për makinën në doganë, dhe më pas këtë e ka korrigjuar duke çuar në KQZ një deklaratë sqaruese”. Peçi thotë se ky është një sulm politik ndaj tij, duke drejtuar gishtin nga opozita.