Otomanët e djeshëm e vranë Ali Pashë Tepelenën duke i prerë kokën, për të frenuar në këtë mënyrë përpjekjet e tij në ndërtimin e një shteti të pavarur shqiptar. Por sot kohët kanë ndryshuar aq shumë, sa çuditërisht në jo pak raste kemi dëgjuar të flitet për ‘vëllazëri’ me turqit e sotëm. Në kuadër të kësaj klime ndodhin edhe gjëra që ndoshta s’mund të imagjinoheshin shekuj më parë. Si për shembull ‘dorëzimi’ i Kalasë së Ali Pashë Tepelenës tek turqit për restaurim. Një ditë më parë kryebashkiaku Tërmet Peçi priti në zyrë ambasadorin turk në Tiranë, Ahmet Yöruk. Peçi i kërkoi atij ndihmë për restaurimin e kalasë.
“Së fundmi dua të kthehem në diçka më konkrete, çka është vërtet e nevojshme pasi kemi gati 17 projekte në fushën e infrastrukturës, ku midis tyre do veçoja projektin e kalasë së Ali Pashës, si një nga “armët” më të forta për zhvillimin e turzmit në Tepelenë”… u shpreh Peçi gjatë takimit me diplomatin turk.
Ndërkohë ky i fundit e mirëpriti kërkesën e kryebashkiakut të Tepelenës për restaurimin e Kalasë së Ali Pashës, për të cilën thotë se është një trashëgimi e përbashkët me Turqinë.
“Propozimi juaj për kalanë e qytetit më pëlqen shumë dhe jemi të hapur për të financuar në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Ne kemi dy fondacione tepër të fuqishme ku mes së cilave kemi zhvilluar mjaft investime në Shqipëri dhe unë premtoj se një prej tyre, do jetë i gatshëm të investojë në kalanë e Tepelenës, për rijetëzimin e arkitekturës otomane, duke ju dhënë mundësinë ju dhe qytetit, të realizoni atë që keni dëshirë dhe sfidë. Ne do të ndihmojmë që sëbashku të mund të kemi më shumë përfaqësi të shtetit tonë këtu dhe biznese që zhvillojnë ekonominë. Shumë shpejt ju presim në Tiranë për të nisur projektin e parë dhe t’i hapim rrugën të tjera projekteve…” tha ambasadori Ahmet Yoruk.
Po gjatë ditës së djeshme ambasadori i Turqisë zhvilloi takime edhe në Bashkinë Gjirokastër.
© ArgjiroLajm.net