Drejtoresha e Ndërmarrjes së Trajtimit Studentor në Gjirokastër, Doriana Demo, hedh akuza për abuzim me fondet publike nga paraardhësi i saj në këtë institucion, Nikolla Buka. Ajo ka postuar në faqen e saj në Facebook fotot e disa dyshekëve me cilësi të keqe, që sipas Demollarit janë blerë përmes një tenderi me vlerë 5 milionë lekë të vjetra. Edhe pse nuk e përmend me emër Nikolla Bukën, Demo e cilëson atë ‘hajdut’ dhe thotë se do të bëjë kallëzim në Prokurori ditën e hënë. Tenderi i dyshimtë sipas saj është zhvilluar në vitin 2016, kohë kur Ndërmarrja e Trajtimit Studentor në Gjirokastër drejtohej nga njeriu i LSI-së, Nikolla Buka. Disi i habitshëm është fakti se përse drejtoresha, Doriana Demo, po e denoncon pikërisht tani këtë rast, sipas saj abuziv, në një kohë kur ajo ka rreth 1 vit në krye të institucionit.
Dhe tjetra, abuzimin me dyshekët e kanë denoncuar më parë në media edhe vetë studentët. Kujtojmë që Demo u emërua drejtoreshë në nëntor të vitit 2017. Mes komenteve me ndjekësit e saj në Facebook, Demo shkruan ndër të tjera se një pjesë e parave te tenderit ka shkuar tek ‘grupi i zjarrit’, duke mos saktësuar se kujt i referohet. Në Shqipëri janë të njohura historitë me akuza publike mes zyrtarëve sa për show, ndërsa nga ana tjetër drekojnë e shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin.
Se sa seriozisht e ka Doriana Demo këtë denoncim mbetet për t’u parë nëse do i shkojë deri në fund ligjërisht. Të bësh show në Facebook është një gjë më vete dhe ta ndjekësh cështjen ligjërisht është dicka tjetër. Sikundër mbetet për t’u parë edhe se sa e ndryshme është Doriana Demo nga paraardhësi i saj, kur vjen puna tek administrimi i fondeve publike. ‘Prova’ e parë, mbase është tenderi me vlerë rreth 10.4 milionë lekë të vjetra me objekt ‘Rikonstruksioni i tualeteve te konvikti i djemëve’, tender që do të mbyllet ditën e hënë dhe për të cilin ArgjiroLajm.net do të raportojë në ditët e ardhshme më shumë detaje. Më poshtë denoncimi i plotë i Demos.
© ArgjiroLajm.net