Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptojë se ka një rrugë për daljen nga kriza. Ndryshe nga retorika e përditshme, në një intervistë për një media italiane, Rama është shprehur në mënyrë lakonike: “Të shohim”. Kjo do të thotë që ka një zgjidhje, pra ka një ide, një rrugë. Si do të zgjidhet kriza politike në Shqipëri? Kjo është pyetja që gazeta italiane “Oggi” i ka bërë kryeministrit Edi Rama.
“Të shohim”, thotë Rama, i cili është intervistuar nga gazetarja italiane Maria Giuseppina Buonanno, në zyrën e tij në Tiranë.
Ai është ndalur edhe tek turizmi, ku fton italianët të vizitojnë Shqipërinë, ndërsa me ironi shton: “Ejani, vizitoni Shqipërinë e do të gjeni gjyshërit tuaj, ashtu siç ata dikur shihnin me shpresë të ardhmen. E ndoshta dhe për të parë se sa të aftë jemi dhe ne për të shkatërruar peisazhin, ashtu si dhe ju dikur”.
“Shpesh flasim për Shqipërinë si një vend ku mbretëron krimi i organizuar. Por ky është një vizion që ka prekur dhe prek edhe Italinë. Dhe pastaj për këtë ne vijmë pas jush “, thekson Rama për mediat italiane.