Policia e Sarandës ka arrestuar nënën e cila u denoncua në emisionin “Fiks Fare” për dhunë ndaj vajzës së saj të mitur.
Njoftimi
Në lidhje me rastin e publikuar mbrëmjen e kaluar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku bëhej fjalë për dhunën e ushtruar nga mamaja ndaj vajzës së saj të mitur, Policia ka bërë ndalimin e shtetases E.M., 41 vjeçe, banuese në Sarandë, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Materialet do ti referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Nderkohe vajza 13-vjeçare e dhunuar sistematikisht nga nëna e saj është marrë në mbrojtje nga Policia dhe Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës.
Disa minuta pas transmetimit të investigimit të “Fiks Fare”, ku u faktua me zë dhe figurë dhuna çnjerëzore ndaj të miturës, institucionet reaguan menjëherë. Policia mori në pyetje njerkun dhe më pas shoqëroi nënën 41-vjeçare. Oficerët e Policisë Gjyqësore morën videon e dhunës dhe më pas dëshminë e vajzës.
“Fiks Fare” u interesua gjatë gjithë kohës për sigurinë dhe akomodimin e dy fëmijëve, duke mbajtur kontakte me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbrojtjes së Fëmijëve. Alma Tandili, kryetare e Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve tha për gazetarët e “Fiks Fare” se gruaja është arrestuar menjëherë nga policia, pasi “videoja e dhunës ishte tepër e rëndë”.