Studentët nuk heqin dorë nga lëvizja e tyre. Megjithëse ultimatumi i vënë ndaj qeverisë nuk funksionoi dhe nga ana e ministrisë nuk ka përgjigje pozitive për 8 kërkesat e tyre, studentët janë ngritur sërish sot në protesta. Ata janë mbledhur nga të gjitha fakultetet përpara Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit, një objektiv i qëllimtë i tyre duke kërkuar plotësimin e 8 kërkesave.
Në fakt tanimë 9 kërkesa. Kjo pasi studentët shtojnë një pikë tjetër në kërkesat e tyre. Nisur nga procedimi penal i ndërmarrë nga policia për protestën e djeshme ndaj 25 personave, studentët kërkojnë heqjen e procedimeve penale. “Hiqni procedimet penale për studentët”, kanë bërë thirrje ata.
Kurse dy nga studentët e proceduar penalisht, nga 25 të proceduar në total, kanë marrë sërish pjesë në protestë në ditën e tetë të saj. Në një prononcim për “News 24”, studentët e proceduar Henri Fero dhe Estela Nazarko janë shprehur se nuk kanë frikë dhe nuk kanë shkelur asnjë ligj.
Studentja Estela Nazarko: Nuk është se u shqetësova, pasi është një lëvizje e radhës për të na trembur. Jam shumë mirë dhe do vazhdoj të protestoj. Këtu nuk ka asnjë organizator dhe protesta nuk është e përçarë. Ne jemi të gjithë studentë të hedhur në rrugë. Rama ka dalë në TV dhe ka bërë monolog me veten. Do jemi këtu deri në plotësimin e kërkesave tona.
Studenti Henri Fero: Në këtë protestë nuk kam hedhur një letër çamçakëzi në tokë dhe jo më objekte në drejtim të ministrisë. Unë di 5 gjuhë të huaja dhe nuk jam figurë vandale. Unë nuk jam organizator dhe jam qytetar i thjeshtë që dua vendin tim.
Halla e studentit Henri Fero: Është nipi im dhe e kam sjellë nga Gjermania. Është djalë intelektual dhe është djalë që nuk merret me ato gjëra. T’i hiqet emri i tij nga procedimet dhe të mos terrorizojnë studentët.