Luftëtari-Laçi është një nga ndeshjet më interesante të javës së 29-të të Superiores, pasi përplasen dy skuadra që duan një “biletë” për në Kupat e Europës. Luftëtari ka avantazhin që luan në fushën e vet, por kuptohet që kjo nuk mjafton për të fituar. Pasi lanë dy pikë në fushën e tyre me Teutën, gjirokastritët nuk duan të përsërisin të njëjtin gabim edhe këtë të shtunë.
Problem për trajneri Hasan Lika është mungesa e mesfushorit Behar Ramadani, i cili bën rolin e organizatorit, ndërkohë që në ndeshjet e fundit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Një lojtar me shumë përvojë, mungesa e të cilit në një ndeshje kaq të rëndësishme do të ndihet patjetër.
Organizimi i lojës ndaj Laçit pritet që t’i besohet mesfushorit tjetër të qendrës, Albano Aleksit, pasi alternativat janë shumë të kufizuara. Në një vend në formacion mund të fitojë në fundjavë Donald Rapo, por trajneri Hasan Lika ka edhe disa seanca stërvitore përpara se të vendosë për titullarët. Shpresohet që Luftëtari këtë radhë të ketë edhe fatin me vete për të shënuar dhe për të marrë 3 pikët ndaj një kundërshtari direkt, ku fitorja do të kishte vlera të dyfishta. Mungesa e Ramadanit është e vetmja për momentin te gjirokastritët.