Partia Demokratike do të zgjedhë sot kryetarin e ri për qytetin e Gjirokastrës. Dy kandidatët në garë janë Gjergji Dudi dhe Dasho Aliko. Nëse i pari është një person deri diku anonim që vjen nga radhët e strukturave të PD-së, i dyti është një personazh i njohur publik për shkak të pozicionit si kryetar i Komunës Lazarat për vite me radhë.
Gjasat janë që edhe kjo të jetë një garë farsë, ashtu siç ishte gara për kryetarin e Sarandës, për Tepelenën, siç ishte gara e vetë Lulzim Bashës me Eduard Selamin apo edhe ajo e Edi Ramës me Maqo Lakrorin 9 vjet më parë, ku fituesi ishte i paracaktuar.
Megjithatë le të presim të kryhet procesi dhe të mos paragjykojmë hë për hë. Kujtojmë se 4 vjet më parë Dasho Aliko u kallëzua penalisht nga policia e Gjirokastrës për “Shpërdorim detyre”. Ai akuzohej se lejoi dhënien e pronave për mbjelljen me hashash. Bashkë me Alikon u kallëzuan penalisht edhe dy kryepleq të ish Komunës së Lazaratit. Prej vitit 2015 Aliko është anëtar i Këshillit Bashkiak Gjirokastër. Disa muaj më parë tentoi të katapultohej në krye të Këshillit të Qarkut përmes pazareve dhe manovrave me këshilltarët, por që përpjekja nuk u finalizua dot.
©ArgjiroLajm.net