IPR Marketing dhe RTV Ora publikoi sondazhin e parë për këtë vit. Sondazhi është në nivel kombëtar dhe intervistat janë zhvilluar javën e kaluar, janë përpunuar dje dhe sot është marrë rezultati përfundimtar. Kampioni i përdorur janë rreth 2000 zgjedhës dhe përfaqësojnë gjithë popullatën rezidente në Shqipëri. Nga Tirana janë 31.3% të intervistuarve.
Emigracioni është një fenomen që në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas sondazhit janë 62.2% e shqiptarëve që duan të largoheshin nëse do t’i jepej mundësia. 35.1% janë përgjigjur se do të qëndrojnë në Shqipëri dhe 2.8 % kanë thënë: “nuk e di”.
29.5% e tyre mendojnë se veprimtaria e kryeministrit Rama dhe qeverisë është pozitive, ndërsa 34.7% janë shprehur negativisht. 28.5% e shqiptarëve janë shprehur asnjanës, për punën e qeverisë. Një grup prej 7.2% janë shprehur se nuk dinë të gjykojnë veprimtarinë e qeverisë.
Punën dhe veprimtarinë e kreut të PD, Lulzim Basha shumica e shqiptarëve e kanë gjykuar negative. Janë 49.3% e tyre që gjykojnë negativisht veprimtarinë e Bashës, ndërsa 13.7% e shqiptarëve mendojnë pozitivisht për veprimtarinë e PD dhe liderit të saj. 28.6 % mendojnë se puna e Bashës është as pozitive dhe as negative. Ndërsa 8.3% janë shprehur se nuk e dinë.
Veprimtarinë e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi 57.2% të shqiptarëve e kanë vlerësuar negativisht. 8.2 % e tyre mendojnë se puna dhe veprimtaria e Kryemadhit janë pozitive. 22.7% mendojnë as pozitivisht dhe as negativisht, ndërsa 11.9% thonë se nuk e dinë.