Luftëtari në pjesën e dytë të sezonit ka qenë një nga ekipet më të zhurmshme. Fillimisht i mbërthyer nga kriza financiare dhe shpesh rrogat e vonuara nga 2-3 muaj, e pastaj për largimet e shpeshta të trajnerëve. Këtë sezon doli në pah edhe një problematikë tjetër, gjobat ndaj titullarëve.
Mirëpo, duket se në Gjirokastër e kanë siguruar mbijetesën dhe klubi ka nisur që të mendojë edhe për sezonin tjetër. Nga sa bëhet e ditur ka edhe lojtarë që do të vijojnë pjesë të skuadrës.
Donald Rapo është njëri prej tyre. Bë fakt, për të nuk kanë munguar ofertat nga ekipe të elitës, por edhe nga jashtë, megjithatë burime pranë lojtarit bëjnë me dije se ai do të vijojë të jetë bluzi.
Në Gjirokastër, ai është trajtuar mirë nga drejtuesit, por jo vetëm kaq, pasi ka edhe kontratë për sezonin tjetër.
Kujtojmë që Donald Rapo këtë sezon ka qenë një nga lojtarët më të dalluar të bluzinjve e madje duke shënuar edhe 4 gola mjaft të rëndësishëm për gjirokastritët.