Neritan Novi, trajneri i Luftëtarit që mori 3 pikët javën e shkuar e kishte përgatitur skuadrën për të marrë pikë edhe në Ballsh: “Erdhëm për të mos u mundur, por disa gjëra dolën jashtë parashikimeve. Kishim mungesa dhe në Ballsh doja që ta shihja ekipin në një terren tjetër, mbase djemtë do të shpreheshin më mirë”.
“Me problemet që ka Luftëtari dhe aq shumë mungesa është e vështirë që të përballesh në një transfertë me një kundërshtar të fortë, por ne kishim raste, realisht shpërdoruam dhe meritë ka edhe portieri Miraka. Nuk duhej të dilnim pa pikë”.
Trajneri i bluzinjve në kushte emergjence, ndër të tjera thotë se ka dyshime për penalltinë: “Nuk e di, nga pamja që e kam parë kam dyshimet e mia, ndërsa duhet që të them se ne jemi një ekip që kemi pasur oscilacionet tona. Shpresoj për të mirën e futbollit gjirokastrite që skuadra të ndryshojë, donatorët të vënë dorë dhe Luftëtari të ngjitet dhe të lërë fundin. Skuadra ka një grup të mirë dhe me përforcime unë them se ka mundësi për më shumë”, – tha në fund trajneri Neritan Novi i Luftëtarit.