Shuhet papritur gazetari i njohur shqiptar (FOTO)

Gazetari, historiani dhe botuesi i njohur, Thimi Nika, është ndarë papritur nga jeta. Lajmi e bën me dije kolegu i tij, Agim Xhafka

“Java nis keq. Qysh në mëngjes lexova që na la Thimi Nika. Fluturoi pa zbardhur dita që të mos na trazonte ëndërrat. Bëri atë që dinte më mirë; askush të mos ia mësonte hallet e tij.

U mbështeta te tavolina dhe i thashë gruas:

-Thimi na la.

Mbesa,sa pa hidhërimin tonë,pyeti:

-Çfarë profesioni kishte?

-Punonte shok, ashtu tërë jetën -i thashë.

Dhe qëllova në shenjë.

Ai qe gazetar, shef, drejtor, filatelist, historian, redaktor klasi, botues… Ama së pari ishte shoku i të gjithëve.

Të dëgjonte pa fund, të këshillonte, të mësonte dhe veç qeshte. Sikur nxirrte zemrën mbi tavolinë.

Për dy orë gënjeja veten se lajmi do ishte fake.

Por me sa duket duhet të mësohemi pa Thimin.

Në se do më duhet këshilla e tij do dal në breg të Jonit e do nis drejt reve a zogjve hallin tim. Dhe Thimi do ma sjellë përgjigjen.

Si? E di ai. Se atje mbi ne atij nuk i rrihet pa ne.

Do e ngrejë një antenë e do flasim e shihemi. Me sms,me skype? Të presim siç prisnim mendimin e tij aq të çmuar.

Lamtumirë shok e mik. Mos na harro,ore!”, shkruan gazetari Agim Xhafka.

Biografia e Thimi Nika-s

Thimi Nika rrjedh nga një familje intelektuale me origjinë nga Muzina e Sarandës. Lindi në qytetin e Kukësit, më 11 shkurt 1949. Në vitin 1951, u vendos familjarisht në qytetin e Beratit. Aty kreu arsimin fillor, shtatëvjeçar dhe të mesëm.

Në shtator të vitit 1966, filloi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, nëe Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike,në degën e Shkencave Politike. U diplomua në korrik 1970.

Nga 6 janari i vitit 1971 deri në 15 prill 1989, punoi si gazetar dhe sekretar kolegjiumi në gazetën “Zëri i Popullit”.

Në 15 prill të vitit 1989, emërohet drejtor i Radio Tiranës, ku punoi për rreth katër vjet. Më pas punoi në Entin Botues “Voskopoja”, si drejtor ekzekutiv dhe drejtor i revistës “Afër dhe larg”, organ i këtij Enti.

Në vitet 1995-96, ka qënë kryeredaktor i gazetave “Alternativa SD” dhe “Poli i Qendrës”. Nga 3 shtatori i vitit 1997 e deri më 11 shkurt 2014, punoi në Institutin Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërise, ku për gati 9 vjet ( 3 shtator 1997 – 2 maj 2006) ka qënë drejtor i këtij institucioni. Më 11 shkurt 2014 mbushi 65 vjeç dhe doli në pension.

Thimi Nika ishte koleksionist. Koleksionoi pulla dhe histori postare shqiptare, zarfa FDC dhe kartmaksimume shqiptare (Ka marrë pjesë në ekspozita filatelike brenda dhe jashtë vendit).Është koleksionist pikturash të autorëve shqiptarë (ka çelur pesë ekspozita nga fondi i pikturave të tij); koleksionon gjithashtu monedha e kartmonedha shqiptare,kartolina dhe fotografi shqiptare, si dhe telekarta shqiptare.

Duke qënë njëkohësisht studiues në fushën e filatelisë, drejtoi si kryeredaktor revistën “Koleksionisti”,organi i Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, në të cilën ka shkruar mjaft shkrime, që nga numri i parë dhe vazhdimisht. Prej një kohe të gjatë është anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës, ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për tematikën dhe performancën e pullave.

Thimi Nika ishte i martuar dhe ka dy vajza. Ka qënë për 20 vjet pedagog i jashtëm i Universitetit të Tiranës. Në vitin 1982, mbrojti gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” dhe, nga viti 1995, është “Doktor i shkencave”. Ka gjithashtu titullin “Docent”.

Thimi Nika është autor i tre librave të botuar. Libri i tretë titullohet “Historia e Filatelisë Shqiptare”, vënë ne qarkullim në vitin 2013, vit i 100-vjetorit të pullës së parë kombëtare shqiptare.