Shoferët e autobusëve të shoqërisë ‘Argjiro’ në Gjirokastër kanë vijuar protestën e tyre edhe gjatë ditës së sotme. Por ndryshe nga sa deklaruan më parë ata nuk kanë guxuar të bllokojnë rrugën nacionale.
Policia nuk ia ka miratuar lejen për protestë, ndërsa disa prej shoferëve u thirrën në komisariat për të dhënë shpjegim për ngjarjen dhe më pas mësohet se ata janë proceduar në Prokurori për organizim të tubimit të paligjshëm.
Shoferët pretendojnë se aktiviteti i tyre po pengohet nga konkurrenca e pandershme, konkretisht nga linja Libohovë-Tiranë dhe Dropull-Tiranë, të cilat sipas tyre marrin pasagjerë në Gjirokastër.
Përfaqësuesit e shoqërisë ‘Argjiro’ i bëjnë thirrje Ministrisë së Transporteve të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. Protesta që vijon prej 4 ditësh ka krijuar vështirësi për lëvizjen e udhëtarëve drejt kryeqytetit.
©argjiroja.net