Shkrimtari Gazmend Kapllani është emëruar me vendim të ekzekutivit si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, që pritet të zhvillojë mbledhjen e parë më datë 18 dhjetor të këtij viti. Në qendrimet e tij publike të herëpashershme, Kapllani është rreshtuar në radhët e përkrahësve të mazhorancës dhe politikave të saj qeverisëse.
Në një postim të ditëve të fundit në llogarinë e tij personale në rrjetin social “Facebook”, Kapllani del kundër gazetarëve dhe analistëve kritikë ndaj qeverisë, duke i ironizuar se “urrejnë Ramën më shumë se tetanozin”. Për më tepër, anëtari i porsaemëruar i Këshillit të Diasporës, ka propozuar organizimin e protestave paqësore për të kërkuar dorëheqjen e opozitës.
“E kuptoj që politika është e ngatërruar shumë në Shqipëri, se është më lehtë të fitosh Lotarinë Amerikane se sa të zgjedhësh mes të mirës dhe të keqes. Por, kur arrin në një pike ku opozitën nuk e kupton asnjë vend në botë – përveç Beogradit, Moskës dhe ndoshta Koresë së Veriut si edhe 23-25 gazetarëve shqiptare që urrejnë Edi Ramën më shumë se sa tetanosin – atëherë ka ardhur koha që të organizohet një proteste paqësore me një kërkese të paparë në historinë politike të botës: të japë dorëheqjen opozita.
Opozita shqiptare i ka shpallur luftë jo qeverise tashmë, por botës. Nuk e kupton askush, nuk e përkrah askush, nuk e mëshiron askush. Ndoshta ka të drejtë (ose pjesërisht te drejte) në ato që thotë dhe kërkon, por mënyra se si e kërkon të drejtën e saj, apo ata që e udhëheqin opozitën e kanë humbur betejën pa e nisur ende. Opozita duket tani si ai i mbyturi të cilin e ke frike se të mbyt…”, shkruan Kapllani fill pas emërimit në detyrën e re.