Zhvillimi i blegtorisë në vend, po orientohet së fundi drejt rritjes dhe mbarështimit të deleve dhe dhive, kjo për faktin e kërkesës së tregut më së shumti për nënproduktet e këtyre kategorive. Instituti i Statistikës, bën të ditur se gjatë vitit 2016, numri i gjedhëve në vend shënoi 492.393 krerë, ose 2,3 % më i ulët në krahasim me vitin 2015. Ndërsa u rrit me 2,8% për të njëjtën periudhë, numri i krerëve të të leshtave (dele, dhi).
Sipas INSTAT, në ndaj totalit të tufës së gjedhit dominojnë lopët e qumështit me 72 %. Numri i të leshtave shënoi 1.971.933 krerë . Kategoria kryesore e të leshtave janë delet e qumështit me 72,4 % ndaj totalit të tufës. Qarqet ku është më i përqendruar mbarështimi i të leshtave është Vlora me 17,3 %, Gjirokastra dhe Fieri me 15 %. Lezha është qarku i cili ka numrin më të vogël të të leshtave, me 1,7 % ndaj totalit të numrit të krerëve në të gjithë vendin.
INSTAT bën të ditur se, në vitin 2016, numri i dhive rezultoi 940.806 krerë, me një rritje vjetore 0,9 %, në krahasim me vitin 2015. Kategoria kryesore janë dhitë e qumështit, me 76 % ndaj totalit të tufës.
Qarqet ku është më i përqëndruar mbarështimi i tyre janë Gjirokastra dhe Elbasani me 15 %, ndërsa Durrësi është qarku i cili ka numrin më të vogël të të dhirtave me 2,3 % ndaj totalit. Në vitin 2016 numri i krerëve të derrave ka qenë 181.024 krerë, duke shënuar një rritje vjetore me 5,6 % në krahasim me vitin 2015. Përqëndrimi më madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 36,2 % dhe Shkodër me 27,7 % ndaj totalit të gjithë krerëve.
Qarqet me numrin më të vogël përfaqësues të derrave janë: Vlora dhe Elbasani me 3 %, ndërsa Gjirokastra është qarku më pak përfaqësues me 0,7 %, ndaj totalit të krerëve të derrave në të gjithë vendin.
Në 2016, prodhimi i qumështit është rreth 1.2 milion ton, duke rritur me 1,2 %, në krahasim me vitin 2015. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 160 mijë ton, duke u rritur me 1,27 %, në krahasim me vitin 2015.