Gazeta Shqiptare zbardh të plotë përplasjen mes juristes së njohur Eni Çobanit dhe Rudina Islamajt, ngjarje kjo që ndodhi në 3 tetor të këtij viti në Gjirokastër. Fillimisht lajmin në media e bëri publik Rudina Islamaj, një emër i njohur, e cila akuzoi juristen Eni Çobani se e kishte kërcënuar në gjyq, seancë që u mbajt në 3 tetor. Ndërkohë që nuk u vazhdua më se çfarë ndodhi më pas.
Zonja Çobani përfaqëson shtetasit Merushe Makri dhe Mihal Makri, në një proces gjyqësor për pronën kundër Rudina Islamaj. Sipas akuzës të bërë nga kjo e fundit për kanosje, ajo pretendon se Eni Çobani i ka thënë: “Unë do të vihem pas dhe s’ke për të shpëtuar”. Por pas hetimeve të prokurorisë, vendosi që të mos fillojë procedimin penal të Rudina Islamaj ndaj Eni Çobanit edhe pas marrjes së provave filmike dhe audio nga Gjykata.
Ndodhur në këto kushtje, çështja nuk mbyllet me kaq. Juristja ka bërë lëvizjen e radhës, ndërsa ka paditur Rudina Islamajn për kallëzim të rremë. Por edhe për këtë padi organi i akuzës, ka vendosur të mos fillojë procedimin penal.
“Jo vetëm kaq, por nëse shtetësja Rudina Islamaj do të kishte kryer kallëzim të rremë, prokurori i cili ka vendosur mos fillimin e procedimit për kallëzimin e asaj shtetaseje, kryesisht duhet të kishte regjistruar procedimin penal në ngarkim të shtetases Rudina Islamaj dhe të fillonte hetimet. Këtë veprim prokurori ka të drejtë ta bëjë me iniciativën e vet dhe nuk ka qenë e nevojshme kallëzimi i shtetasit të pretenduar të dëmtuar”, argumenton organi i akuzës.
Por juristja e njohur Eni Çobani tani ka paditur prokurorinë e Gjirokastrës për mos fillimin e procedimit penal të bërë nga vetë ajo.