Luftëtari mbyll sot përgatitjet në Turqi, ku ka bërë stërvitje intensive dhe ka luajtur tri ndeshje miqësore. Gjirokastritët kanë bërë disa afrime interesante në merkaton e dimrit dhe formacioni i ekipit pëson disa ndryshime. Janë tre ndryshime të sigurta, dy në mbrojtje dhe një në sulm. Ivan Jakovljeviç dhe Xhekson Ferreira, të ardhur në merkaton e dimrit, llogariten titullarë, i pari në qendër dhe i dyti në të majtë, duke zënë përkatësisht vendet e Zeqajt dhe Zguros.
Shkurtaj do të jetë sulmuesi i deklaruar i Luftëtarit në vazhdim të kampionatit, pasi tashmë është i federuar dhe konsiderohet “arma” plus. Pas krahëve të tij do të veprojnë treshja e konsoliduar Bregu-Rroca-Abazaj.
Në qendër të mesfushës do të luajnë Ramadani dhe Aleksi, kurse Rapa do të jetë mbrojtës i djathtë. Ky është formacioni i ri i trajnerit Hasan Lika, i cili tani është më i qetë, sepse edhe në stol ka alternativa më shumë dhe me më shumë kualitet.