Prisnin sot të anulohej projekti i bashkisë së Këlcyrës për ndërtimin e një lulishte, e cila pritej të prishte banesat e rreth 30 familjeve, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Banorët ishin të paqartë përse ata këshilltarë që kanë firmosur se janë pro banorëve, sot nuk ishin në mbledhjen e këshillit për të anuluar projektin.
Çështja e këtij projekti ka përfunduar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, pas kallëzimit të banorëve në Prokurorinë e Përmetit për “shpërdorim detyre” të kryetarit Klement Ndoni, i cili po sipas tyre nuk ka respektuar elementet bazë të nisjes së një projekti, siç është dëgjesa publike. Hapi i radhës, i joni është se deri tani kemi qëndruar në heshtje, pasi i kemi dërguar të gjitha letrat prokurorisë, dhe kjo e fundit i ka dërguar tek Krimet e Rënda në Tiranë për shqyrtim.
Banorët shprehen të vendosur në mbrojtje të shtëpive të tyre, të cilat sipas tyre po prishen për të vënë në jetë një lulishte që nuk i shërben askujt. Mbi 28 familje në Këlcyrë rrezikojnë që t’iu shemben banesat për shkak të projektit që përfshin rehabilitimin e qendrës së Këlcyrës. Bashkia Këlcyrë pretendon se i ka informuar banorët, por nga ana tjetër këta të fundit thonë se projekti duhet anuluar, pasi edhe dëmshpërblimi është qesharak.