Ivan Jakovljeviç ishte një prej goditjeve të bujshme të janarit nga klubi i Luftëtarit. Mbrojtësi i krahut, i cili përshtatet mirë edhe në qendër të repartit defensiv, debutoi me fanellën bluzi në fitoren 2-0 ndaj Skënderbeut. Në një bisedë për “Panorama Sport”, lojtari i lindur në Prishtinë ka treguar pse zgjodhi të transferohej nga Flamurtari te Luftëtari. “Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur pas përfundimit të kontratës me Flamurtarin. Të jesh pjesë e një grupi të tillë lojtarësh, siç ka Luftëtari, do të thotë më shumë përkushtim dhe përgjegjshmëri. Vlerësoj çdo fanellë që mbaj mbi supe, për aq kohë sa e shoh veten si lojtar profesionist. Në fushën e lojës më duhet të jap më të mirën dhe mendoj se këtë e keni konstatuar edhe këtu në Gjirokastër. Ka raste që më tradhtojnë nervat dhe me të drejtë keni konstatuar që pata një debat të çastit me Aleksin në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Zgjodha Luftëtarin, sepse jam për futbollin e bukur dhe të ndershëm”, ka deklaruar fillimisht serbi i Luftëtarit.
JETA NË SHQIPËRI – Jakovljeviç ka një vit që luan në kampionatin shqiptar, teksa u bë i njohur me Flamurtarin e Vlorës. “Ndihem mirë në Gjirokastër dhe, për më tepër, më pëlqen mënyra e të jetuarit në Shqipëri, duke filluar nga ushqimi dhe kultura. Nëse flasim për ushqimin, këtu jam i dashuruar pas sufllaqeve. Ndërsa sa u përket ëmbëlsirave, më pëlqen trileçja. Mbi të gjitha këtu në Shqipëri më bën për vete dashamirësia dhe vlerësimi që kanë për të huaj. Në këto kushte, unë motivohem dyfish për të dhënë më të mirën për të gjithë fansat e ekipit. Shpresoj që me Luftëtarin të mbyllim një sezon të suksesshëm. Jam i lumtur që edhe debutimi im përkoi me një fitore të bukur ndaj Skënderbeut kryesues. Tani duhet të vazhdojmë kështu, për të arritur synimet”, përfundoi Jakovljeviç.
MBROJTJA E BLINDUAR – Jakovljeviç u kërkua fillimisht nga Kukësi, e më pas nga Vllaznia, por në fund firmosi për Luftëtarin. Një nga arsyet pse drejtuesit e klubit gjirokastrit insistuan shumë për të bindur mbrojtësin, ishte fakti se ky repart ka çaluar jo pak në pjesën e parë të sezonit. Tashmë Jakovljeviç mund të përdoret nga trajneri Hasan Lika, jo vetëm në krahun e djathtë, por edhe në qendër të mbrojtjes. Në ndeshjen e fundit ai u përshtat mirë në krah të kapitenit Orjad Beqiri. Në merkaton e janarit, Luftëtari ka afruar jo pak, por 12 lojtarë. Mes tyre bie në sy fakti se janë afruar 5 lojtarë me tipare mbrojtëse si Aurelio, Ferreira, Jakovljeviç, Liçaj dhe së fundmi Demo. Ndërkohë, dje klubi ka zyrtarizuar edhe rinovimin e kontratës me mbrojtësin Oltion Rapa.