Tërmeti i fuqishëm që goditi sot pjesën më të madhe të Shqipërisë, ritkhen edhe njëherë vëmendjen tek lëkundjet sizmike në vendin tonë. Sa i përket Gjirokastrës, janë rreth 28% e godinave në zonën muzeale të qytetit të gurtë, apo 1/3 e tyre që paraqesin rrezikshmëri të lartë nga lëkundjet e tokës. Në këtë listë përfshihen gjithashtu edhe pothuajse të gjitha objektet që mbajnë statusin “Monument kulture” të kategorisë së parë. Të dhënat janë publikuar nga specialistë italianë rreth dhjetë vjet më parë. Ata punuan për një kohë të gjatë për vlerësimin e rrezikut sizmik në brendësi të kësaj zone. Sipas inxhinierit të projektit Transizmik, Bruno Bonifacci në analizë janë marrë të gjithë elementët që përbëjnë qendrën e mbrojtur të qytetit të Gjirokastrës.
”Duke ekzaminuar në veçanti gjendjen e godinave dhe numrin e kateve kemi identifikuar sa janë ndërtimet që paraqesin problem për sa i përket rrezikut sizmik. Të gjitha të dhënat e mbledhura si gjatë punës për krijimin e hartografisë, të rilevimit të ndërtesave etj janë përpunuar dhe prej tyre janë prodhuar analizat për godinat dhe infrastrukturën në tërësi”, ka thënë Bonifaci.
Sipas tij, nga 982 ndërtesa të marra në shqyrtim, rreth 250 prej tyre paraqesin rrezik të lartë dhe shumë të lartë sizmik. Nga studimi ka dalë që të gjitha shtëpitë e kategorisë së parë paraqesnin gjithashtu rrezik të lartë sizmik”- tha ai. Bonifaci ka thënë se një pjesë e mirë e ndërtesave janë shumë të larta dhe gjatë ndërtimit të tyre, teknikët nuk e kanë parashikuar këtë rrezik. Njëkohësisht një pjesë e tyre janë restauruar gjatë viteve të fundit sërish pa u bazuar mbi ndonjë studim të tillë. Ky projekt duhet të merret në konsideratë për hartimin e planit rikuperues të qytetit të gurtë.
© ArgjiroLajm.net