Aktroja e humorit, Rudina Dembacaj ka folur për herë të parë për marrëdhënien e shumë përfolur me ish-deputetin Mark Frroku.
E ftuar në emisionin “Rudina”, Dembacaj tha se me Frrokun ishte dashuruar kur ishte single dhe se ishin njohur prej kohësh për shkak të biznesit.
Ajo tregoi se ka një marrëdhënie shumë të mirë edhe familjen e ish-deputetit dhe fëmijët e tij, ndërsa u shpreh se tek Frroku kishte gjetur vetitë burrërore të babait të saj.
“Unë dhe Marku në ditën e dytë të vitit bëmë një udhëtim jashtë shtetit dhe unë e kapa veten duke ulur kokën në aeroport.
Nuk ia lejoja dot vetes këtë gjë, nuk kam pse ta fsheh dashurinë. Fati deshi që unë njoha një person të mrekullueshëm për mua, ne ndihemi aq mirë me njëri-tjetrin, sa pse duhet unë ta fsheh këtë gjë?
Nuk është fare e vështirë të njihen dy veriorë, njëri në art, tjetri në politikë. Jemi njohur prej kohësh, absolutisht nuk e kishim menduar ndonjëherë të kishim një marrëdhënie.
Marku ka kaluar një periudhë shumë të vështirë të jetës së tij, ka humbur bashkëshorten para një viti e gjysmë.
Pas kësaj humbjeje ndoshta ishte dhe situata delikate për jetën e tij. Sigurisht unë isha një vajzë single, grua single, edhe ndodhi që u dashuruam, s’kishim pse ta fshihnim më.
Gjeta gjithë vetitë burrërore të babait tim te ai. Me nënën e Mark Frrokut jam një shoqe shumë e mirë që tani.
Nuk kam zgjedhur jetën më të mirë që mund të zgjidhte dikush, kam zgjedhur të jetoj me dashuri.
Sa herë u drejtohem fëmijëve të Markut, mendoj, si dua t’i drejtohet dikush fëmijës tim.
Viktoria e ka njohure Markun prej kohësh sepse e kam njohur prej kohësh, që kur filloi të punonte për biznesin, Viktoria është njohur gradualisht me Viktorian”, u shpreh Rudina.
Ajo shprehet se është totalisht e dashuruar me të dhe janë duke menduar edhe të martohen. Ata e konsiderojnë fat që janë me njëri-tjetrin:
“Ne po shijojmë dashurinë, po na ha kohë dhe biznesi dhe për fatin tim të mirë, edhe Marku më quan fat dhe unë e quaj fat. Njerëzit e njohin si Mark Frroku i mediave, unë dashuroj Markun dhe sigurisht që do martohemi”.
Tek Marku, Rudina ka gjetur vetitë e burrërisë që ka babai i saj, ndërsa tek familja e tij, traditën familjare me të cilën është rritur:
“Marku është verior dhe tek ai kam gjetur gjithë vetitë e burrnisë që ka babi im, tek familja e Markut kam gjetur traditëm familjare me të cilin jam rritur. Kam gjetur një shok shumë të mirë me të cilin bëj shumë humor, qesh pafund. Një partner mbështetës në çdo ide, më pëlqen totalisht, çfarë të them unë? Jam kokë e këmbë tani“.
Në lidhje me divorcin, Rudina tregoi se asnjë ndarje nuk është e lehtë sidomos kur ka një fëmijë në mes, por ata morën këtë vendim se çifti nuk po funksiononte:
“Asnjë ndarje nuk është e lehtë. Unë dhe ish-bashkëshorti krijuam një familje me shumë ëndrra, si të gjithë në fillim, por fati nuk ishte i tillë, ne vendosëm të divorcoheshim.
Duke qenë se kohët kanë ndryshuar, sigurisht ne nuk kemi më mentalitetin e nënave tona, jeta ka ndryshuar dhe vendosëm të ndaheshim.
Asnjë ndarje nuk është e lehtë, sidomos kur ka në mes fëmijë dhe për çdo nënë normale në këtë botë, fëmija është qendra e botës.
Dhe duke patur përpara të ardhmen e qendrës së botës, sigurisht divorci nuk është i thjeshtë.
Por ne si dy të rritur dhe si dy qytetarë të këtij vendi duke ngelur shumë miq dhe duke i dashur akoma dhe përgjithmonë të mirën njëri-tjetrit, morëm këtë vendim, duke parë se familja s’po funksiononte më, çifti s’po funksiononte më.”
Në lidhje me komentet pas ndarjes dhe arsyen pse i bllokoi ato në Instagram, Dembacaj u shpreh:
“Në momentin që vendosa që të kem jetën time, si çdo njeri në këtë vend dhe në këtë botë, vendimet për të ardhmen time më takojnë vetëm mua dhe të them të drejtën nuk jam fare e interesuar për komentet e njerëzve.
Sepse ka një lloj manie për të sulmuar për kot, pa më njohur, pa ditur fare çfarë bëj unë, çfarë zgjedhje kam bërë. Dhe duke qenë kjo lloj tendence për të nxjerrë më të keqen e tyre, apo mosrealizimet e gjithësecilit që ndodhin në jetë, këta i shfryjnë nëpër komente, prandaj i bllokova, se nuk më ka interesuar komenti i askujt.”