Rruga nga rreth-rrotullimi i lagjes ‘Punëtori’ në Gjirokastër deri në Kordhocë, është një ‘ferr’ më vete për drejtuesit e automjeteve. Sikur të mos mjaftonte pluhuri dhe gropat pranë varrezave, aty po ndërtohet një urë e re sipër Përroit të Gjokanës, në pjesë të këtij aksi janë hapur disa kanale për të kaluar kabëll të energjisë elektrike apo tubacione uji.
Fundja nuk ka rëndësi se për çfarë janë hapur këto kanale, por është e turpshme se si janë lënë ashtu, pa u mbyllur sërish me asfalt apo ndonjë shtresë betoni. Kushdo që kalon në këtë aks me makinë, e ka provuar stresin dhe dëmin që i shkaktohet automjetit.
Nëse punimet janë kryer nga OSHEE Gjirokastër apo ndërmarrja e ujësjellësit, ato kanë detyrimin të sistemojnë sërish rrugën siç ishte. Nëse janë kryer privatisht nga subjekte të ndryshme, institucionet përgjegjëse duhet të marri masat për ndëshkimin e autorëve dhe rikthimin në normalitet të rrugës. Shihni fotot që sjell ArgjiroLajm.net