“Do ju lutemi shumë, të paktën na zgjeroni pak rrugën. Qeveria lokale na ka harruar fare. I paguajmë të gjitha taksat, i përgjigjemi një më një. Pardje kishim një të moshuar të sëmurë. E kanë marrë me batanije e kanë nxjerrë te rruga lart. I bie që ne të vemi në Çajup pastaj të vemi në fshat”.
Këto ishin fjalët që një grua nga fshati Dhoksat i tha ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë dëgjesës publike në Lunxhëri, takim i zhvilluar një javë më parë. I risollëm në vëmendjen tuaj duke marrë shkas nga lajmi që ne raportuam një ditë më parë për një tender me vlerë rreth 61 milionë lekë të vjetra pa tvsh, që Këshilli i Qarkut Gjirokastër ka hedhur për riveshjen me asfalt të rrugës së fshatit Asim Zeneli. Pyetja që shtrohet me të drejtë në këtë rast nga banorët e Dhoksatit apo edhe banorë të fshatrave të tjera është kjo: A ka një shpërndarje të drejtë të investimeve që kryhen në zonat rurale të Gjirokastrës?
Përgjigjja është komplekse dhe natyrisht e debatueshme, aq më tepër nëse flasim me subjektivizëm. Por rasti i fshatit Asim Zeneli shërben deri diku për të thënë: Jo, investimet shpërndahen në mënyrë jo të drejtë. Po e argumentojmë më poshtë se përse është kështu, por si fillim vlen të sqarojmë se nuk jemi kundër rikonstruksionit të rrugës së Asim Zenelit. Përkundrazi, banorët e atij fshati kanë gjithë të drejtën e Zotit të kërkojnë një rrugë më të mirë dhe plot shërbime të tjera të munguara. Siç meritojnë investime edhe banorë të fshatrave të tjerë.
Por le të kujtojmë se para një viti, fshati Asim Zeneli përfitoi nga programi i ‘Rilindjes Urbane’ rikonstruksionin e qendrës. Një investim disa milionësh i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Natyrisht që ky është lajm i mirë dhe puna e bërë duhet vlerësuar. Gati një vit më vonë, shkon një tjetër investim në këtë fshat: riveshja e rrugës me asfalt.
Sërish ky është një lajm i mirë për banorët e Asim Zenelit, por mbase jo për banorë të fshatrave të tjerë ku dora e shtetit nuk është vënë kurrë në infrastrukturën rrugore, shkolla, ujësjellësa apo qendra shëndetësore. Ata presin e presin nga njëra palë zgjedhje në tjetrën dhe shohin me sytë e tyre sesi venitet shpresa apo perspektiva në vendlindje.
Vallë mos do të ishte e udhës që ky fond prej 61 milionë lekësh të vjetra të përdorej për të diçka tjetër në ato fshatra ku s’është vënë dorë kurrë? Sigurisht që çdokush do të thotë se këto janë pak para. Dhe ka të drejtë. Nuk mjaftojnë për të bërë ndonjë investim të madh, nuk tepërojnë as për të ndarë bakshishe e ryshfete mes zyrtarëve të administratës, sekserëve e kompanive private. Është fond i vogël, por ndoshta një shkollë fshati apo zgjerimin e rrugës siç kërkonte zonja në Dhoksat, patjetër që mund ta bësh. Nëse i përdor me nikoqirllëk edhe ato pak fonde, mbase nuk bën investime të mëdha, por realizon gjëra të domosdoshme për banorët e fshatrave që zbrazen ditë pas dite.
Mbi ç’kriter shkoi sërish në Asim Zeneli ky fond i Këshillit të Qarkut, nuk është e qartë, por patjetër që mund të hamendësohet. Titullari i këtij institucioni, Armand Hilaj, është me origjinë nga ai fshat dhe sigurisht që ka ushtruar ndikimin e tij për këtë investim. Lobimi apo advokatia është aktivitet legal në Shqipëri dhe s’mund të ‘kryqëzojmë’ Armand Hilajn pse kërkon më shumë investime për fshatin e tij. Ai është në të drejtën e vet ta bëjë këtë gjë, por së paku të kemi një proces transparent, ku të thuhet se përse është prioritet Asim Zeneli dhe jo Dhoksati fjala vjen. Mbi cilat kritere është përzgjedhur ky fshat dhe janë përjashtuar dhjetra të tjerë që ka qarku Gjirokastër. Le pastaj historia e rrugës, që siç thonë banorët është veshur e riveshur disa herë me asfalt, fiks si ato investimet që sikur po bëhen kastile për të vjedhur, jo për t’i dhënë zgjidhje problemit. Por le të mos paragjykojmë për investimin e këtij rasti, i cili ende s’ka nisur.
Është boll fakti, që zyrtarët në pushtet dhe poste kyçe të administratës në Shqipëri, sot dhe në të kaluarën, kanë ndarë vendet e punës me tarafet e tyre;gratë, kunatat, nipat, mbesat apo edhe dashnoret në shumë raste, duke ua mohuar shumë të tjerëve pa përkrahje, por që e meritonin më shumë. Tani, është e tepërt të fillojmë të përqëndrojmë investimet vetëm në zonat ku ju keni origjinën. Jetojnë njerëz edhe në fshatra të tjerë, që duan shpresë në vendlindjen e tyre. Ktheni sytë edhe nga ata!
© ArgjiroLajm.net