Specialistët gjirokastritë nuk ngurrojnë të shprehen kritikë, jo vetëm për të tashmen e skuadrës së Luftëtarit, por edhe mënyrën se si është punuar duke mos menduar as për të ardhmen. Grigor Çabeli, një nga figurat e futbollit gjirokastrit, duket se nuk i pëlqen fakti që te Luftëtari nuk funksiononin akademia.
Situata
Në prononcimin që ka dhënë për “Rtshsport”, Çabeli, ndër të tjera thotë se e sheh mjaft të vështirë edhe mbijetesën e skuadrës bluzi në elitë, madje dhe merkato nuk e shpëton dot Luftëtarin. “Luftëtari ndodhet në një situatë kaotike dhe merkato në qoftë se bëhet me emra të goditur, duke parë diferencën e pikëve me skuadrat e tjera, më duket thuajse e pamundur. Por, shoh se lojtarët aktualisht nuk kanë motivimin e duhur”.
Akademia
“Duhet që të ngrihet një akademi pasi Luftëtarit i kanë munguar lojtarët vendas. Nuk ka pasur asnjë projekt ideal apo përkushtim, si nga sponsorët kryesorë ashtu edhe nga bashkitë që kanë drejtuar futbollin. Pa lojtarë vendas nuk mund të pretendosh që të kesh një ekip profesionist në elitën e futbollit shqiptar. Nis ke ekipe moshash, e ardhmja është e duhura dhe në skuadrën e parë në kushte emergjencë mund të luajnë edhe vendasit, – tha Çabeli në prononcimin e tij.
Ndeshja
Ndërkohë, Luftëtari, të mërkurën pret në Gjirokastër skuadrën e Skënderbeut, një ndeshje mjaft delikate, ku bluzinjve u bëjnë punë vetëm 3 pikët nëse duan që të mbajnë gjallë ende shpresën e mbijetesës në Superiore.