Problematikat që shoqërojnë kampionatin shqiptar janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ajo që serviret në fushën e lojës, për të përfunduar tek mungesa e tifozëve në stadiume.
Por një çështje që është diskutuar shpeshherë dhe lë sërish vend për diskutime, është ajo e skuadrave pjesmarrëse në Kategorinë Superiore. Aktualisht kampionati shqiptar është i përbërë nga 10 ekipe, ndërsa Luftëtari është ekipi që e kthen në aktuale këtë “plagë” të kampionatit.
Disa javë më parë, skuadra e Hasan Likës e shihte fundin shumë pranë, duke diskutuar seriozisht rënien nga kategoria. Por mjaftuan vetëm vetëm 4 ndeshje në kampionat, që Luftëtari ta shohi veten vetëm 6 pikë larg vendit europian, duke e harruar totalisht mbijetesën.
Ajo që i mungon këtij kampionati është zona e mesit të kampionatit, i cili nuk ekziston dhe sipas të gjitha gjasave nuk ka për të ekzistuar deri në fundin e tij. Të vetmet gjëra të sigurta deri në javën e fundit të Superiores, do të jenë lufta për mbijetesën, për një vend në Europë dhe kreun e renditjes nëse Flamurtari vazhdon në këto ritme. Ekipet e tjera që bëjnë lidhjen mes këtyre pozitave nuk ekzistojnë, të paktën jo në kampionatin shqiptar.