Rënia e numrit të popullsisë dhe mundësitë e reja për sipërmarrjet shqiptare

Nga Daniel Guçe

Jo çdo problem është problem! Disa ditë më parë INSTAT publikoi shifrat me trendin rënës persa i perket numrit të popullsisë. Kjo është një rrethanë, e cila tregon së është koha që sipërmarrjet shqiptare të  kërkojnë tregje të  reja duke marre parasysh që fuqia blerëse konsumatore po reduktohet referuar shifrave në rënie të popullatës , por edhe rritjes së konkurentëve në tregun e brendshëm. Marrëveshjet e tregtisë së lirë shfrytëzohen pothuajse në kuotat minimale  përjashtuar BE dhe Truqine ku eksportet janë gjithmonë në rritje. Skemat e granteve qeveritare në përmbushjen e standarteve të produktit por edhe rritjes se eksportit janë cdo vit në rritje, kryesisht në mbështetjen e sektorëve të bujqësise dhe turizmit. Aksesi i informacionit për mundësinë e partneritetit nëpërmjet platformave të ndryshme mundësuar nga BE apo partner të tjerë janë prezent në funksion të ndërkombëtarizimit dhe rrjetëzimit të sipërmarrjeve shqiptare. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë faktin që dinamika e popullsisë shqiptare me trend në rënie, natyrisht që përbën shqetësim, por për sipërmarrjet duhet parë dhe në këndvështrimin e një mundësie për t’i bërë ato më konkurruese me qëllim që të gjejnë tregje të reja .

Furnizimi me lëndë të parë dhe fuqia blerëse nuk  mund te diktohen më nga kapacitetet e vendit por sipërmarrjet duhet të fillojnë planfikimin për pjesëmarrje më proaktive në tregjet rajonale (CEFTA) apo ndërkombëtare në përmbushje të dy komponentëve të mësipërm. Vetë procesi i integrimit në BE, dikton dhe do të diktojë përmbushjen e standardit të produktit në nivelin e Komunitetit Europian, prandaj sipërmarrjet shqiptare duhet të gjenden të përgatitura për të mos u asfiksuar nga rregullat e reja që do të diktoje ky treg. Të flasësh për një  proces ndërkombëtarizimi të sipërmarrjeve shqiptare tashmë nuk është me utopi pasi ‘Made in Albania’, është një markë që meriton besim dhe që ofron cilësi të jashtëzakonshme.

Orientimi, mentorimi dhe këshillimi duhet të rritet nga vetë përfaqesitë e biznesit ( shoqata, dhoma tregtie,etj) në paraqitjen dhe menaxhimin e sfidave. Dinamika e popullatës shqiptare është një sfidë reale, por nën këndvështrimin dhe analizën e duhur, mund të shihet dhe të përdoret si një mundësi për  sipermarrjet tona, që të jenë më  konkuruese dhe te qëndrueshme përballë sfidave të çdo lloj natyre dhe në kërkim të tregjeve të reja. Për të finalizuar mesazhin që dua të përcjell, më së miri më vjen në ndihmë shprehja e  Jimmy Dean:-  “Nuk mund të ndryshoj drejtimin e erës, por mund të drejtoj velat e mia në mënyrën e duhur, për të arritur destinacionin e dëshiruar”  

Leave a Reply

Your email address will not be published.