Të dhënat e fundit nga Zyra Europiane e Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2018 gjashtëdhjetë e dy mijë shqiptarë janë larguar nga vendi për të jetuar në vendet e Bashkimit Europian. Së bashku me të një tjetër raport tronditës, ai “Pew Research Center” parashikon se deri në fund të shekullit vendi ynë do të ketë tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë.
Kështu, referuar këtij raporti” pas 70 vjetësh parashikohet se që vendi ynë të katandiset me vetëm 500 mijë banorë, çka presupozon me më pak banorë nga sa ka aktualisht Tirana.
Shifrat e publikuara së fundmi janë duke ngritur jo pak shqetësime në mesin e ekspertëve edhe për faktin se largimi i qytetarëve, sidomos i të rinjve të arsimuar është një plagë sociale për të cilën Shqipëria qëndron në krye të listës së vëndeve të rajonit, ku gjatë vitit të shkuar, sipas të dhënat e zyrës së BE-së, si të tillë numërohen 228.000, e ndjekur nga Bosnja dhe Serbia.
Për një vend me një popullsi prej rreth 2.8 milionë largimi i 62.000 njerëzve është i barabartë me rreth 2.2% të popullsisë së përgjithshme gjë që mer përmasë alarmuese nisur dhe nga niveli shumë i ulët i lindshmërisë.