Për çdo fëmijë të lindur në Republikën e Shqipërisë, qeveria Rama do të japë një çek, disafish më të lartë se ai që merrej deri më tani. Për ata prindër që sjellin në jetë fëmijën e parë, shpërblimi do të jetë 400 mijë lekë të vjetra, për fëmijën e dytë 800 mijë lekë, dhe për fëmijën e tretë 1 200 000.
Nismën e re e ka prezantuar kryeministri Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirlliu në një konferencë për mediat, ku ka folur mbi risitë në buxhetin e vitit 2019. Teksa prezantoi këtë politikë të re, Rama e konsideroi të rëndësishëm dhe të konsiderueshëm kontributin e masave të qeverisë në rrugën e reformave.
“Në vitet 2000 unë pata lançuar si kryetar i bashkisë së Tiranës, çekun e bebes, 50 mijë lekë të vjetra, dhe mbeti aq sa ishte për shumë vite, madje mbeti një problem, dhe në malin e borxheve të mbetura ne kishim edhe një borxh prej 5 milion dollarësh për bebet që nuk e kishin marrë. Borxh që e shlyem. Asgjë më nuk ka ndryshuar në këtë politikë, që sot kthehet në rendin e ditës me një shumëfishim nga 1 janari 2019. Çdo çift do të marrë 400 mijë lekë për fëmijën e parë, 800 mijë fëmija i dytë, dhe fëmija i tretë 1 milion e 200 mijë lekë. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë po përgatitet për një tjetër inovacion, në mënyrë që çdo bebe që lind në maternitetet e Republikës së Shqipërisë, do të regjistrohet aty, nuk do ketë lodhje deri në gjendjen civile, dhe do të marrë çekun aty”, – tha kryeministri Rama.