Rama sjell qeverinë në Gjirokastër javën e ardhshme, zbardhet axhenda e takimeve

Në fillim të javës së ardhshme kryeministri Edi Rama do të vijë në Gjirokastër për takime me qytetarët në kuadër të llogaridhënies publike të qeverisë. Burime të ArgjiroLajm.net thonë se Rama do të jetë në Gjirokastër në datat 21 dhe 22 maj, i shoqëruar nga ministrat, zv.ministra dhe drejtues të institucioneve të ndryshme. Do të zhvillohen mbledhje qeverie dhe dëgjesa publike. Një takim do të organizohet edhe në fshatin Grapsh, në zonën e minoritetit grek në Dropull, si dhe një vizitë në Libohovë, ku kryeministri do të inspektojë punimet për qendrën e re, e cila është një financim i qeverisë shqiptare në kuadër të programit të ‘Rilindjes Urbane’.

Takimit në Dropull do t’i bashkëngjiten edhe qytetarë nga Bashkia Finiq, e cila është njësia e dytë vendore me shumicë minoritare në Shqipëri. Është konceptuar në këtë mënyrë pasi data 21 maj përkon me Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor. Më tej në datë 22 maj do të ketë takime pune në Gjirokastër me drejtues të institucioneve vendore. Axhenda është parashikuar të vijojë me takime në Tepelenë dhe në Përmet.

©ArgjiroLajm.net