Ish-kryebashkiaku dhe ish-prefekti i Gjirokastrës, Flamur Bime feston sot 64 vjetorin e lindjes. Mes urimeve nga miqtë dhe të afërmit, nuk mungon as urimi i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, ka përsëritur me Bimen të njëjtin ritual që bën edhe me të tjerët sa herë festojnë ditëlindjen; një kartolinë dhe një shishe vere, ku është stampuar emri i kryeministrit. Rama e ka standard këtë dhuratë për të gjithë ata njerëz me të cilët ai ka bashkëpunuar apo ruan konsiderata, përfshi këtu edhe kundërshtarë të tij politik. Gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit, raportet Rama-Bime ishin si mos më keq. Madje kishte zëra që thonin se kryeministri e pati kërcënuar ish-kryebashkiakun e Gjirokastrës, se nëse do të punonte kundër interesave elektorale të PS-së, pasojat për të do të ishin të rënda. Dhe Rama e ka treguar këtë gjë. Kujtoni çfarë nodhi në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2015.
Për ta penguar Bimen nga rikandidimi, përmes IKMT-së (Ish-INUK), Rama i bën kallëzim në Prokurorinë e Gjirokastrës për shpërdorim detyre. Ishte fjala për shtesën e një pallati të ndërtuar në lagjen ’18 Shtatori’, por fati i padisë nuk u mor vesh kurrë, duke përforcuar kështu bindjen se padia e INUK ishte thjesht lëvizje e Ramës për të nxjerr jashtë loje Flamur Bimen. Dhe në fakt kështu ndodhi. I detyruar ai mbështeti Zamira Ramin në fushatë dhe më pas mori si shpërblim postin e prefektit të Gjirokastrës, post të cilin u detyrua ta linte në tetor të vitit 2017. Ndërkohë në zgjedhjet e qershorit 2017, Flamur Bime nuk punoi për PS-në. Kështu u shpreh Bledi Çuçi, kryesuesi i listës së kandidatëve të PS-së në qarkun Gjirokastër. Bime ishte i qejfmbetur me Ramën pasi priste që ta shihte veten në listën e kandidatëve për deputetë.
©ArgjiroLajm.net