Kryeministri Rama paralajmëron përmbysjen e situatës me mbetjet në vend, të cilën ai e cilëson si dramatike, përmes një operacioni 6 mujor në territorin e vendit, në mënyrë që Shqipëria të lehtësohet nga barra e plehrave. I pranishëm në prezantimin e aksionit “Ta pastrojmë Shqipërinë” Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur për ndërhyrje në gjithë territorin, por edhe për ndërtimin e mekanizmave efikasë të monitorimit të situatës.
“Sot thuhet në shifrat zyrtare se një individ gjeneron 400 kg mbetje në vit nga të cilat 40 shkojnë për riciklim, pjesa tjetër nuk dihet ku shkon. Pamja e hartës së fotografive të bëra është tragijke. Në një mobilizim të shpejtë të një grupi njerëzish vullnetmirë, janë fotografuar 9100 vendgrumbullimi mbetjesh.
Ka vetëm një mundësi reale për të qënë konkurues në një treg shumë të hapur dhe për të prodhuar mirëqënie: të shfrytëzojmë bukurinë e vendit, që ia ka folur zoti apo natyra. Ne jemi shumë të vendosur që ta përmbysin këtë situatë dramatike, e për këtë arsye, aksioni nuk do mbarojë me pastrimin një ditor, por do vazhdojë me një operacion 6 mujor që do përfundojë në 24 Maj të 2018.
Do angazhohemi në territor me të gjitha forcat duke përdorur të gjitha rrugët e komunikimit, të gjitha mjetet, në çdo nivel, në mënyrë që Shqipëria turistike e sezonit të ardhshëm të jetë e lehtësuar nga barra e plehrave në të gjithë trupin e vet. “– tha Rama.