Për herë të parë, që prej viteve ’40, qeveria shqiptare do të ketë në përbërje dy ministra nga Kosova. Ministri i ri i Jashtëm, Gent Cakaj ka mbajtur detyrën e zëvëndësministrit të Jashtëm, duke qenë edhe kryenegociatori i Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Më herët ai ka qenë këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, ai ka pasur angazhim në shoqërinë civile si konsulent. Cakaj është arsimuar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari dhe mban dy diploma dhe 3 master në filozofi, shkenca politike dhe juridik.
Besa Shahini, ministrja e re e Arsimit ka qenë më parë zëvëndësministre e Arsimit. Ajo është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Ka master nga ‘Hertie School of Governance’ në Berlin për politika publike. Ka qenë ligjëruese në Toronto dhe Barcelonë dhe është autore e një serë publikimesh.