Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë sot në një bashkëbisedim me gazetarët në selinë e qeverisë, ku u pyet dhe për çështjen e Teatrit Kombëtar. Rama shprehu vendosmëri për të ndërtuar një godinë të re, edhe pse artistët protestojnë kundër shembjes së teatrit ekzistues.
Pyetje: Teatri Kombëtar, a do ketë zhvillime të reja?
Rama (Qesh): Zhvillimet e Teatrit janë të vjetra dhe më vjen keq që vazhdon një debat për një teme që duhet të ishte ezauruar 20 vjet më parë. Ka shumë që ngatërrojnë muret me nostalgjinë. Nëse ka një njeri dhe një forcë qeverisëse që nuk mund të akuzohet për mungesë vemendje ndaj trashëgimisë kulturore, ky jam unë dhe kjo është forca ime qeverisë. Mos harroni se unë kam filluar përpjekjen për të shpëtuar trashëgimine; Kompleksi i ministrive ishte kompleks ku shkruheshin fjalë të pista me spraj. Ku binin suvatë dhe mbinin fiqtë në tarraca sepse mbeturinat liheshin në tarraca dhe ktheheshin në pleh për rritje fiqsh. Këtë projekt të nisur vite më parë po e përfundoj me stadiumin. Shiheni tani stadiumin. Vlerat e trashëgimisë ndërthuren me nevojat e së ardhshmes.
Tani godina e Teatrit Kombëtar nuk është çështje verbërie dhe indiference. Është një godinë e ndërtuar nga ushtria italiane për argëtim pas pune. Nuk është ndërtuar për Teatër Kombëtar. Ka mbetur si ajo fjala, një gjë e përkohshme që mbetet gjithë kohën. Është e parikuperueshme. Është ndërtuar me material që nuk rikuperohet. Nëse godina do të kishte vlerë arkitekturore do të shembej e ndërtohej sipas projektit. Preket prona publike? Jo, asnjë centimetër nuk ndërtohet nga privati, në atë publike. Privati do ndërtojë pas murit të teatrit. Ne dinim ti qetësonim të gjithë këta, do bënim kopjen e Teatrit. Për çfarë arsye ta bëjmë këtë? Ne me projektin e ri kërkojmë shumë më teper fond nga privati për ta këmbyer me truall. Ne duam të ndërtojmë teatër të ri dhe modern.