Në Shqipëri ndodhin çudira nga më të ndryshmet dhe kjo nuk përbën lajm. Pak ditë më parë zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Ervin Demo dha dorëheqje nga ky post pasi u zbulua se ai kishte bërë plagjaturë.
Ishte një mjek i ri, Taulant Muka ai që zbuloi se ish zv.ministri Demo e kishte ngjitur karrierën akademike duke vjedhur materiale nga të huajt dhe duke i “shitur” si autentike.
“Unë në bëra publik rastin e zv/ministrit të Arsimit për shkak se mban një pozicion në këtë shoqëri që bën politikat, në rastin konkret të arsimit të lartë. Si është e mundur të bësh politikat e arsimit të lartë kur zv/ministri i Arsimit të gjithë karrierën e tij akademike e ka pasur mbi materiale të kopjuara.
Po a mund t’i besohet një personi të tillë apo personave të ngjashëm që të dalin garant për reformat në arsimin e lartë, që të dalin garant që ajo që jepet në universitete është e cilësisë së lartë, apo që të jenë garant për gjithçka që universiteti duhet t’i ofrojë në mënyrë cilësore studentit”, shprehej Muka për mediat.
Por sot qeveria e Edi Ramës apo më saktë vetë kryeministri bëri atë që nuk pritej, duke emëruar denoncuesin Muko në postin e zëvendësministrit që la bosh Ervin Demo.
Pas denoncimit Demo dha dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit më 19 tetor të këtij viti.
V E N D I M PËR LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Ervin Demo, zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.