10- Maji do të shpallet ditë zie kombëtare, në nderim të nëntetares, Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën 3 ditë më parë në një mision, në Letoni. Vendimi u mor nga Këshilli i ministrave.
Flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysëmshtizë. Nesër në orën 12:00 do të mbahet 1 minutë heshtje, në nderim të nentetares së rënë në krye të detyrës.
Ndërsa sot, mbërriti në atdhe trupi i pajetë i Zarife Hasanajt, ku u prit nga familjarët dhe zyrtarët e ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Tre ditë më parë një ushtarake e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka humbur jetën gjatë një misioni të NATO-s në Letoni. Zarife Hasanaj, ishte duke demontuar një minë, kur gjatë një shpërthimi është dëmtuar dhe ka humbur jetën. Bashkë me të u plagosën dy ushtarakë të tjerë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj. Tanushi është në gjendje të rëndë për jetën dhe po trajtohet me ndihmë mjekësore në Letoni.