Administratori i Klubit Luftëtari, Artan Laze ka zbuluar arsyen e “divorcit” mes skuadrës gjirokastrite dhe trajnerit, Klevis Dalipi. Në një deklaratë të gjatë për shtyp, Laze ka zbuluar se shkak i kësaj ndarje është bërë një kusht i vendosur nga ana e teknikut. Sipas tij, Dalipi kërkoi që të mos tatohet mbi pagën që do marrë te bluzinjtë.
“I plotësuam kushtet që nga mënyra e jetesës deri tek mënyra e pagesës. Në kuadër të këtyre kushteve i kemi plotësuar kërkesat e tij për ndërtimin e një skuadre më të mirë. Të gjithë lojtarët që ai ka sjellë vetë ia kemi pranuar. Të gjithë lojtarët që ai i ka parë dhe si ka dashur i kemi larguar. Domethënë në këtë kuadër ne nuk i kemi ndërhyrë, pasi ky është profesionalizmi. Papritur, dje natën vonë kemi bërë bisedat përfundimtare për lidhjen e kontratës, sipas dëshirës së tij për ta lënë në këtë ditë lidhjen përfundimtare të kontratës. E kemi parapaguar me një muaj, zotin Dalipi, sipas dëshirës së tij. Kemi diskutuar gjërë e gjatë për kushtet e kontratës. Kemi rënë dakord për të gjitha pikat, por s’kemi rënë dakord për një pikë. Unë nuk e kam toleruar, bashkë me presidentin dhe jemi kategorik në këtë pikë, pasi ai nuk ka pranuar të paguajmë detyrimet shtetërore, në kuptimin e tatimit mbi pagën. Dhe në mos zbatimin e ligjit ne nuk kemi rënë dakord, duke mos e lejuar këtë shkelje deri sa të jem unë. Kishim lënë që sot në mëngjes të nënshkruanim kontratën, por në mënyrë të papritur, çuditërisht, në mënyrë indirekte na u tha se ai është larguar, pa kontaktuar as me mua dhe me asnjë lojtar. Dhe unë nga ana njerëzore e quaj një gabim të ulët, sepse ai është një kryefamiljar për ekipin. Pra siç e thashë ka ikur pa i përshëndetur ata. Jemi munduar ta marrin në telefon dhe na ka thënë përfundimisht nuk pranoj. Përveçse të habitur ne jemi edhe të fyer, por do të marrin qëndrimet ligjore të mëtejshme në vazhdimësi që do të bëhen të ditura.”-tha mes të tjerash, Laze.