Pse njerëzit zgjedhin të braktisin Gjirokastrën

Instituti i Statistikave ka bërë publike së fundi shifrat për lëvizjet e popullsisë në vend gjatë vitit 2017. Gjirokastra përmendet sërish si një prej qarqeve me ‘rrjedhjen’ më të madhe të popullsisë, e cila është larguar drejt kryeqytetit apo jashtë vendit. Rreth 3 mijë banorë kanë braktisur qarkun Gjirokastër gjatë vitit që lamë pas. Nga ana tjetër ky është qarku me lindshmërinë më të ulët. Po kështu ka edhe moshën mediane më të lartë në rang vendi, 38 vjeç. Po çfarë po ndodh? Si t’i kuptojmë këto shifra? Sigurisht që ‘armiku’ kryesor i braktisjes së Gjirokastrës është papunësia. Njerëzit po largohen drejt Tiranës apo qendrave të tjera urbane, si dhe  jashtë shtetit, me shpresën për t’u punësuar.

Arsyet e largimit nisin dhe mbarojnë tek papunësia. Deri në vitin 2014 Gjirokastra mbahej kryesisht përmes parave që vinin nga kanabisi në Lazarat. Përmes atyre parave mbaheshin dhjetra biznese në Gjirokastër, punonin shumë njerëz dhe sigurisht kryeheshin investime të ndryshme. Por ai ishte një realitet i rremë sepse një ekonomi e kriminalizuar s’mund të prodhojë kurrë mirëqënie për shoqërinë. Kushdo që lavdëron dhe përkrah ekonominë e kanabisit, nuk ia do kurrë të mirën Shqipërisë. Në një plan afatshkurtër mund të duket sikur është pozitive pasi qarkullojnë para, por në përspektivën afatgjatë ekonomia e mbështetur tek kanabisi është shkatërruese. Me ‘rënien’ e Lazaratit u vërejt menjëherë ky boshllëk në bizneset e Gjirokastrës. Konsumi pësoi ulje dhe papunësia u rrit. Njerëzit nisën të kërkonin alternativa të tjera dhe migrimi i brendshëm drejt qendrave urbane shihet si një mundësi.

Paraja që vinte kryesisht nga aktiviteti i kanabisit nuk ishte më, por kjo nuk u shoqërua me investime të tjera madhore që të nxisnin punësimin dhe të plotësonin vakumin. Ndonëse turizmi mbetet prioritet për Gjirokastrën, ende njerëzit e punësuar në këtë sektor janë të paktë. Administrata publike ka po ashtu një numër të kufizuar vendesh, të cilat herë ndahen me miq e herë me bindje partiake. Por është absurde të mendosh se mund të punësohen të gjithë në shtet. ‘Rrjedhja’ e banorëve nga Gjirokastra do të vazhdojë për aq kohë sa nuk do të ketë investime të mëdha që të shtojnë vendet e punës. Një investim i tillë fjala vjen, mund të ishte rindërtimi i aeroportit. Por ky projekt u anashkalua pasi mori përparësi Vlora. Nga ana tjetër duhen investime në zonat rurale. Bujqësia dhe blegtoria nuk e kanë atë mbështetje sa për të nxitur fermerë të tjerë të investojnë dhe jo ta braktisin vendlindjen. Frenimi i largimeve të tjera nga Gjrokastra mund të bëhet vetëm përmes investimeve që krijojnë vende pune. Nëse nuk kryhen investime të strategjike, shumë shpejt mund të gjendemi përbalë një realiteti të frikshëm.

©ArgjiroLajm.net 

Leave a Reply

Your email address will not be published.