Kryeministri Edi Rama ishte sot në Tepelenë për të inaguruar nisjen e punimeve për Bypass-in e këtij qyteti. Ceremonia e transmetuar live në ERtv nisi me fjalën e kryebashkiakut Tërmet Peçi. Por ndryshe nga sa kemi parë në herët e tjera, kësaj radhe kryebashkiaku atipik zhgënjeu mediat dhe gjithë publikun. Munguan batutat e tij apo lavdërimet e shpenguara për kryeministrin që më pas bëhen virale në rrjet. Madje sot Tërmet Peçi shmangu nga fjalimi tij para kamerave edhe fjalën ‘komandant’ për Edi Ramën. Nuk dëgjuam gjithashtu as që ai t’i drejtohej kryeministrit me parashtesën ‘shoku’ Edi Rama, por e kishte zëvendësuar me ‘zoti’ Edi Rama.
Thjesht e falenderoi për mbështetjen me investime që i ka bërë Tepelenës, teksa ra në sy që edhe një duartrokitje të fortë që kërkoi në fund të fjalimit të tij, nuk e kishte për Edi Ramën, por për drejtorin e ARRSH-së, Afrim Qëndro. Çfarë kishte ndodhur sot me ‘Xhekun’, sikundër i thërrasin shumica në Tepelenë? Me siguri që përgjigjja nuk ka lidhje as me protokollin e as me shiritin kuq e zi që mbante sot sipër, pasi po atë shirit e kishte edhe në takimin e dy muajve më parë në palestrën e re të qytetit, ku ‘shpërtheu’ me urime të tipit ‘të rrojë sa malet komandanti Edi Rama’.
Sot Tërmet Peçi na zhgënjeu sepse vetë Edi Rama mund t’i ketë kërkuar që ai t’i kursejë lëvdatat zinxhirë për shefin e qeverisë, ndaj fjalimi i sotëm i kryebashkiakut të Tepelenës dhe paraqitja e tij në ERtv ishte e ndryshme nga ajo që ne prisnim prej tij. Por përtej raportit Rama-Peçi dhe adhurimit që kryebashkiaku i Tepelenës demonstron në publik për kryeministrin, ka rëndësi nisja e një investimi të rëndësishëm për qytetin dhe krejt jugun e vendit. Investim që shpresojmë të mbyllet brenda 24 muajve sikundër u deklarua.
© ArgjiroLajm.net