Edhe sezonin e kaluar e meritonte, por këtë vit ndoshta më shumë. Vjet varej nga rezultatet e të tjerëve, kurse tani ka gjithçka vetë në dorë dhe thjesht duhet të menaxhojë situatën e javëve të mbetura me sa më shumë qetësi. Presioni është mbi të tjerët.
Luftëtari i bindi të gjithë në Shkodër se është ai ekipi që në verë duhet të luajë në Europa League. I takon para disa prej rivalëve në këtë garë, sepse po bën një kampionat të jashtëzakonshëm. Mban vendin e tretë dhe para së gjithash është një ekip me një ecuri konstante dhe që prodhon futboll në çdo ndeshje, pavarësisht rezultatit. Është një ekip, që në Europë garanton një paraqitje të mirë.
Janë edhe 6 javë dhe Luftëtari ka avantazhin që Partizanin rival e pret në Gjirokastër. Ku i dihet…? Ajo fitore spektakolare e fazës së dytë mund ta frymëzojë për një tjetër triumf. Europa është shumë pranë dhe objektivi minimal është që ekipi gjirokastrit të mos zbresë më poshtë se vendi i katërt.
Vendi i tretë, që e mban aktualisht, e bën më të sigurt Europën, por edhe vendi i katërt do ta mundësonte këtë objektiv, nëse Kupën e Shqipërisë e fiton Skënderbeu. Gjirokastritët do të bëjnë tifo pikërisht për korçarët në ndeshjen e nesërme që ata do të luajnë me Partizanin, që është rivali i Luftëtarit për vendin e 3-të.
Këtë radhë ëndrra e Luftëtarit varet nga këmbët e futbollistëve të tij dhe në Gjirokastër po bëjnë gati fishekzjarret, pasi kanë shumë besim tek ekipi.