Partia Socialiste do të drejtohet në të gjitha nivelet e saj nga një burrë dhe një grua. Nisma, e cila u diskutua dy ditë më parë në Kryesinë e PS-së, u lançua dje nga Kryeministri si nisma “Edhe një”, e cila ka në fokus gratë e vajzat dhe integrimin e tyre në politikë dhe jo vetëm. Kryeministri, duke folur në lançimin e rrjetit, tha se gratë dhe vajzat duhet të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes.
“PS-ja është partia më e votuar nga gratë e vajzat dhe këtë e tregojnë të gjitha anketimet që ne kemi bërë prej disa vitesh, e konfirmojnë proceset zgjedhore. Nëse në Shqipëri do të votonin vetëm gratë e vajzat, PS-ja do merrte 85 deputete. Po të votonin vetëm burrat, do të ishim rrotë më rrotë, ose pak nën rrotë. Ajo që duhet kuptuar është që ne kemi një potencial shumë të madh, ende të paçliruar, jo thjesht në funksion elektoral, edhe pse ky funksion është i patjetërsueshëm, pasi duhet të fitosh zgjedhjet që të bësh gjërat që merr përsipër, një potencial shumë të madh për t’i dhënë më shumë frymë, më shumë ajër të pastër, më shumë seriozitet, më shumë eficiencë të gjitha organizimeve tona në komunitet”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme të arrihet bashkëkryesimi në të gjitha organizatat socialiste mes grave dhe burrave.
“Ajo që është e rëndësishme lidhet me faktin çfarë duhet të bëjnë përtej përfaqësimit në këshillat bashkiakë në seancat e komisioneve apo të mbledhjeve të këshillit gratë dhe vajzat shqiptare. Çfarë duhet të bëjmë përtej të gjithë punës voluminoze që bëjnë gratë deputetë, qoftë në Parlament, qoftë në territor dhe çfarë duhet të bëjmë të gjithë së bashku. Duhet të bëjmë realitet atë që kemi dakordësuar dje. Duhet të realizojmë bashkë kryesimin në të gjithë organizatat socialiste me gra dhe burra e për këtë duhet një punë e veçantë. Nuk ka për të ndodhur nëse gratë që janë në drejtim, gratë që janë në këto shtresa të lidershipit nuk marrin përsipër ta udhëheqin këtë proces duke shkuar e duke prekur çdo plagë të territorit, sepse është i mbushur me plagë territori në aspektin e diskriminimit dhe të refuzimit apo indiferencës ndaj faktorit grua”, tha Rama.