Në një video live Edi Rama u ka bërë thirrje studentëve që të dialogojnë nesër në orën 11 siç paralajmëroi më herët. Ai është shprehur se nëse bëhen bashkë me qeverinë ata mund të zgjidhin problemet e sotme por edhe ato që do të vijnë nesër.
“Jam shumë i bindur se ky është moment i artë për të ndërtuar një mekanizëm bashkëqeverisëse me studentët, që të adresojmë një qasje këndgjerë për problematikën e universitetit. Problemet e universitetit nuk janë as të panjohura dhe as të reja, dhe jo aq të rënda sa 5 vjet më parë. Nevoja për financim infrastrukturë, kushte mësimore dhe sociale në tërësi, është e ditur, por dua ta them qartë sot: as ulja e tarifave, as investimi në konvikte, as biblioteka e re shkencore apo të tjera si këto, që janë gjëra që po bëhen apo mund të bëhen, nuk adresojnë sëmundje, por vetëm simptomat e saj.
Jam shumë dakord që duhen edhe këto, kemi bërë më shumë se askush para nesh, por nuk mjaftojnë. Unë i pari… e di që jo. Duhet të bëjmë shumë më shumë akoma. Dakord. Por sot, nëse duam ta kthejmë këtë zgjim studentor momental në një moment vendimtar për reformimin e mëtejshëm të universitetit, duhet të biem dakord se na duhet një lëvizje e fortë dhe e bashkuar.
As mos qeshni, e as mos u habisni, as mos mendoni se po përpiqem t’ju bëj magji protestuesve që të shpërndahen, në fakt nuk dua që ata të shpërndahen duke marrë një fitore momentale, por atë që mund dhe duhet zgjidhur për të nesërmen e arsimit të lartë. Nuk dua as të rrinë të mbledhur dhe pastaj të bien në kurthin e kazanëve politik e mediatik.
Pikërisht tani që një bindje më thotë se duhet tentuar një strategji e përbashkët, student dhe qeveri. E për këtë duhet një bashkim mes qeverisë dhe studentëve dhe atyre pedagogëve që duan dalje nga rrethi vizcioz.
Është e thjeshtë, studentët dhe pedagogët, pa qeverinë, nuk e bëjnë dot këtë nga poshtë, sepse nuk kanë autoritet vendimmarrës.
Qeveria pa ata, nuk e bën dot këtë sepse pa ata nuk ndërhynë dot nga lart në vendimmarrjen universitare.
Prandaj kemi ardhur deri këtu…
Studentët dhe forcat e shëndetshme akademike, se p i lë pjesën tjetër, sjanë pa mëkate, dhe meqë ra llafi, përrallat me dhjetor bëjnë mirë që t’ua lënë atyre, që qysh prej dhjetorit të parë u kanë mbetur vetëm shkreptimat në pantallona apo atyre që gdhihen përditë duke uruar djegien e fshatit për t’u krehur në mbrëmje para pasqyrave mediatike… por as qeveria nuk është pa kurure.
Përkundrazi, mua vetë për shembull as më shkon mendja që vetë qeveria ta lërë pas këtë moment kaq joshës, thjeshtë duke kaluar lumin me tarifa më të ulëta dhe pastaj duke i bërë naftën kalin protestues.
Qeveria duhet të nxjerrë përfitimin maksimal nga ky mësim dhe mësime të tjera të këtij viti.
Por kjo është temë tjetër në këtë moment, pra sëmundjen e universitetit nuk mund ta kurojë as vatra tumorale të administrimit brenda organizmit të tij, as ata që s’flasin brenda katedrave me gojën brisk, ama me zorrët kacek nga gjelat e detit të provimeve, as ata që hedhin gurin e protestës dhe fshehin dorën e partisë në xhepat e studentëve, jo e jo.
Për mua, që ta dini ju, është gjëja më e lehtë të kërkoj në qeveri një manovër taktike që shuan protestën duke adresuar kërkesat më të artikuluara.
Edhe pse, nëse studentët nuk marrin përsipër, e çuditshme kjo për momentin, të flasin përmes një përfaqësie, kjo përbën një pengesë për adresimin e kërkesave…”,- tha Rama.