Vendim i miratuar në mbledhjen e këshillit bashkiak të Vlorës, për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nga 30 në 70 lekë për Vlorën, ka nxitur një protestë para bashkisë. Protestuesit thanë se çmimi është dyfishuar dhe kjo është padrejtësi që u bëhet qytetarëve. Përfaqësues të protestës thanë se ky ishte një vendim surprizë për të cilin nuk është marrë opinioni i banorëve.
Në mbledhjen e datës 28 Qershor, Këshilli i Bashkisë së Vlorës, me 22 vota pro të të majtëve, një abstenim dhe 10 kundër të të djathtëve miratoi më se dyfishimin e rritjes së çmimit të ujit të pijshëm nga 30 lekë në 70 lekë. Vendimi i përcillet Entit Rregullator të Ujit që do të japë edhe verdiktin përfundimtar mbi rritjen e çmimit të ujit në Vlorë. Ndërkohë kërkesë për rritje të cmimit të ujit është bërë edhe në Gjirokastër, por vendimi nuk ka kaluar ende në Këshillin Bashkiak. Nëse rritja miratohet, mbetet për t’u parë nëse do të ketë protesta nga qytetarët apo jo.