Është promovuar sot në Gjirokastër libri i Musine Kokalarit “Jeta ime universitare”. Takimi kulturor i organizuar me këtë rast u zhvillua në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Ministrja Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj prezantoi edhe njëherë gjithë aktivitetet e realizuara ditët e fundit mes Tiranës dhe Gjirokastrës në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së disidentes së shquar Musine Kokalari, si dhe vuri theksin te projekti për restaurimin e shtëpisë së saj.
“Nuk mbaron me kaq. Ne dje bëmë publik projektin për restaurimin e shtëpisë së Musine Kokalarit në Gjirokastër, për t’i dhënë dimensionin e shtëpisë si një vend mikpritjeje dhe të hapësirës muzeale dedikuar Musinesë. Ky do të jetë një bashkëpunim i rëndësishëm mes Ministrisë së Kulturës dhe familjes Kokalari. Sinqerisht ndjehem e nderuar që Ministria e Kulturës veç kontributit për restaurimin e shtëpisë, do të ndërtojë edhe një model të parë bashkëpunimi midis pronarëve të shtëpive tradicionale gjirokastrite dhe shtetit se si mund të shkojmë drejt rijetëzimit të monumenteve”, tha Kumbaro.
Në vijm ministrja u shpreh se Ministria e Kulturës ka marrë përsipër të botojë të gjithë veprën e Musine Kokalarit dhe punimin e saj doktoral. Sipas Kumbaros ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me universitetin “Eqerem Çabej”./ArgjiroLajm.net