Një projekt për ngritjen e një HEC-i në Zhulat të Gjirokastrës nuk gjen dakordësinë e banorëve të fshatit. Të paktën për momentin ata e shohin me skepticizëm këtë investim nga një kompani private. Ditët e fundit banorët janë mbledhur për të diskutuar mbi këtë investim. Mësohet se sot kanë patur një takim edhe me kryebashkiakun Flamur Golemi. Frika e banorëve është se mos tokat e tyre u ngelen pa ujë.
Megjithatë ky kundërshtim i parë i banorëve ngjan më shumë të jetë një stuhi e ngritur kot nga mosbesimi që ekziston përgjithësisht ndaj investimeve të tilla apo edhe nga keqinformimi që mund t’u kenë bërë. Kemi parë plot raste të tilla në Shqipëri, që në emër të gjoja kauzave ambientaliste, është ngritur histeri kolektive dhe janë larguar më kot investitorët.
Ngritja e një HEC-i në Zhulat, është një mundësi e mirë për fshatin, është një investim që më pas mund të sjell edhe projekte të tjera zhvillimore në infrastrukturë, si fjala vjen ndërtimi i rrugës. Shqipëria dhe aq më tepër Gjirokastra, s’e ka luksin të largojë investitorët.
Madje edhe anulimi i HEC-it në Kolonjë me shumë mundësi ishte një gabim. Natyrisht që s’jemi duke thënë se banorët e Zhulatit duhet të ngelen pa ujë, por shfrytëzimi i ujit edhe për banorët edhe për biznesin nuk është një gabim. Biznesi nuk duhet parë si ‘mish i huaj’ që duhet larguar. Shqipëria s’e ka këtë luks.
©argjiroja.net