Në muajin Janar të vitit 2019, eksportet e zarzavateve dhe prodhimeve bujqësore në tërësi janë rritur me 14,4 %. Lajmi i mirë sipas burimeve zyrtare, është se Shqipëria ka patur një sezon shumë të favorshëm për zarzavatet si patatja, qepa, për lakra të ndryshme, për karotën, për prasin, pasi këto produkte nuk janë prekur nga mbiprodhimi ose mungesa e tregut për t’u tregtuar.
Në të njejtën kohë, kokurrueshmeria e prodhimit tonë është rritur ndërkohë që produktet tona eksportohen në vendet e BE dhe në vendet e rajonit siç është Serbia, Mal i Zi, Kosova, por edhe Maqedonia. Pikërisht rritja e konkurrueshmërisë së prodhimit bujqësor vendas, është arsyeja që ka ndikuar në rritjen e çmimeve për kategorinë e zarzavateve.
Sot prodhimi ynë bujqësor konkurron me prodhimin e rajonit, konkurron edhe me prodhimimet e Bashkimit Evropian dhe çmimi i këtyre produkteve, vendoset nga kërkesa dhe oferta për këto produkte. Në qoftë se fermeri jonë ka oportunitete më të mira, për eksport ose me çmime më të favorshme, atëherë një pjesë e këtij prodhimi do të orientohet drejt eksportit.
Çështja e çmimeve, rritja inflacionare e çmimeve për ushqimet është rreth 4 %. Nuk është në nivelin e zarzavateve që janë në një kategori specifike. Pra, kemi zarzavate që kanë hyrë në prodhim në muajin janar, siç janë spinaqi, lakra, lulelakra, kastraveci, preshi, karota që kanë dalë me çmime më të favorshme në treg, sepse një pjesë e madhe e tyre është eksportuar gjatë të njëjtës periudhë. Pra, konsumatori shqiptar do marri produktin vendas që konkurron me të njëjtin çmim ose në të njëjtin nivel çmimi me produktin e importuar.
Konsumatori do jetë gjithmonë para zgjedhjes për të blerë produkte bujqësore, por edhe blegtorale me çmimet më të leverdishme për të, por me ofertën që ato kanë në treg, e cila është e barazvlefshme me të njëjtën ofertë që bëhet dhe në tregjet e rajonit. Në qoftë se do të shohim çmimet në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi edhe në Serbi, ato ndjekin të njëjtin trend me çmimet e prodhimeve bujqësore shqiptare.
E thënë shkurt, rritja e çmimeve nuk ka ndodhur sepse prodhimi vendas këtë sezon ishte i kufizuar apo i reduktuar, por përkundrazi, për shkak të rritjes së prodhimit dhe konkurrueshmërisë në tregun europian.