Procedura që duhet të ndjekin shtetasit shqiptarë për të konvertuar në shtetin grek lejen e drejtimit të mjetit, është shpejtuar dje. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Isaraj ka bërë të ditur përmes një postimi në “Facebook” edhe procedurën që duhet ndjekur për rinovimin e lejes së drejtimit.
Procedura kërkon vetëm 10 minuta kohë, një raport mjeko-ligjor dhe një fotografi.
Isaraj bën të ditur se shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë në Greqi edhe me patentën shqiptare, por për ta bërë këtë, më parë duhet të presin një datë të dytë për hyrjen në fuqi të vendimit. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se në momentin që shtetasit shqiptarë vendosin rezidencën normale në shtetin grek, ata mund të konvertojnë lejedrejtimin shqiptar në lejedrejtim grek, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale në shtetin grek.
Kërkesa e tyre paraqitet pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike. E rëndësishme është edhe sigurimi i një përkthimi zyrtar të lejedrejtimit shqiptar, në gjuhën greke. Për konvertimin e lejedrejtimit, mbajtësit e saj duhet të kenë moshën e parashikuar në legjislacionin e shtetit grek.