Të mërkurën e ardhshme, më 7 shkurt, do të mbahen zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit. Siç dihet në garë janë dy emra, Armando Duka, i cili e drejton FSHF-në prej 16 vitesh dhe Bashkim Fino, deputeti i PS-së, ish-kryeministër dhe ish-kryebashkiak i Gjirokastrës. Votë në Asamblenë e FSHF-së ka edhe klubi Luftëtari, i përfaqësuar nga presidenti Grigor Tavo. Por deri më tani, ky i fundit nuk ka dhënë asnjë sinjal publik se për do të shkojë vota e tij, për Finon apo për Dukën? Ndonëse nuk ka detyrim të tregojë paraprakisht votën e tij në asamble, për aq kohë sa ajo është e fshehtë. Megjithatë le të përpiqemi të rendisim disa fakte interesantë, të cilat nëse i shohim të lidhura me njëra-tjetrën, të bëjnë të mendosh se Grigor Tavo do të votojë pro Armando Dukës, duke refuzuar në këtë mënyrë Bashkim Finon. Kuptohet që ky i fundit nuk është thjesht një tifoz i Luftëtarit, sikundër e ka shprehur publikisht, por duke qenë gjirokastrit dhe ish-kryebashkiak, ka një sensibilitet më të madh për zhvillimin e sportit në qytetin e tij. Sidoqoftë kjo mbetet ende për t’u parë nëse Fino fiton dhe atëhere do të jetë në provë se çfarë do të bëjë për futbollin në Gjirokastër. Nuk është më sekret se PD dhe LSI tashmë janë bërë bashkë jo thjesht në koalicionin opozitar, por janë bashkë edhe në fushatën për zgjedhjen e presidentit të ri të FSHF-së. Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar disa ditë më parë një takim me Armando Dukën, ku mësohet se i ka shprehur garanci që votat e kryebashkiakëve të LSI-së do të jenë në mbështetje të tij. Këtu nuk bën përjashtim as Gjirokastra, edhe pse e drejta e votës është në dorë të Grigor Tavos dhe jo Zamira Ramit. Por kjo e fundit, për shkak të funksionit që ka, ushtron ndikim tek klubi i Luftëtarit. Të paktën në aspektin financiar. Bashkia Gjirokastër ka 25% të aksioneve të klubit dhe ende jep financime për ekipin. Zamira Rami nuk është i vemti njeri që influencon tek Grigor Tavo. Të mos harrojmë vëllain e tij deputet të LSI-së. Natyrisht që do të ketë një ‘shkelje syri’ nga Vangjel Tavo për të vëllain, në mënyrë që ky i fundit ta çojë votën për Armando Dukën dhe jo Bashkim Finon. Nuk dihet ende se çfarë ka premtuar Duka në këmbim të këtij të kësaj vote pro tij, por gara në FSHF nuk është thjesht një garë për dy njerëz që duan të drejtojnë futbollin në Shqipëri. Ajo ka marrë përmasat e një beteje politike, ku përplasen dy palë; PD e LSI nga njëra anë dhe PS-ja nga ana tjetër. Në këto kushte, vota e Grigor Tavos në emër të Luftëtarit, ka të ngjarë të mos shkojë tek Bashkim Fino, ndonëse vetë Tavo do të preferonte që ish-kryebashkiaku i Gjirokastrës të merrte drejtimin e futbollit shqiptar. Mbi Grigor Tavon veprojnë të tjera forca, ndaj vota e tij më 7 shkurt pritet të jetë një votë për Armando Dukën. Edhe pse për të qenë të drejtë deri në fund, ndoshta s’kemi për ta mësuar kurrë të vërtetën, për aq kohë sa votimi është i fshehtë.
©ArgjiroLajm.net